Hapja e Fondit të Teatrit për të Rinj është një tjetër nismë e Ministrisë së Kulturës, në mbështetje të të rinjve.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë Elva Margariti, bëri të ditur se, “Ministria e Kulturës vë në dispozicion të kësaj nisme një shumë prej 10 milionë lekë të reja, me vullnetin për t’i riparë buxhetet, në varësi të prurjeve dhe nevojave që do të paraqiten gjatë këtij procesi”.
Sipas saj, pas mbështetjes së letrarëve dhe kompozitorëve të rinj, përmes Teatrit Kombëtar Eksperimental, “Kujtim Spahivogli” do të mbështeten regjisorët e rinj deri në 35 vjeç, ndërkohë që edhe komponentët e tjerë, aktrimi, skenografia, kostumografia e muzika do të realizohen po ashtu nga artistë të kësaj moshe.
“Risia e kësaj nisme, e cila dikur identifikohej me “Festivalin e Regjisorëve të Rinj”, është bashkëpunimi me teatrot e qyteteve të tjera: Shkodër, Korçë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan”, tha ministrja.
Gjithashtu Margariti deklaroi se “po sot rikonfirmuam Paktin për Universitetin, duke firmosur marrëveshjen mes Ministrisë së Kulturës, Fakultetit të Artit Skenik dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental, “Kujtim Spahivogli”, për të hapur dyert e institucioneve gjithnjë e më shumë për artistët e rinj”./ATSH
Lexo edhe:
“NJOLLA TË MURRME”, DRAMA QË SOLLI NJË DRAMË MË 1969… MEHMET SHEHU E LËVDOI, ENVER HOXHA E KRITIKOI