Festivali i Teatrove në Ferizaj, për edicionin e 50-të të tij, organizuar nga OJQ “SWOK Kosova” është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në thirrjen publike për përkrahjen e projekteve kulturore artistike të vitit 2020, në vlerë prej 8,000 euro.
Edicioni i 50-të i këtij festivali nuk është mbajtur deri më tani për shkak të rethanave të pandemisë COVID 19 dhe organizatori nuk ka arritur të përmbyllë obligimet kontraktuale ndaj MKRS si përfitues i projektit. Marrë parasysh që ky edicion nuk është mbajtur, buxheti i paraparë për mbajtjen e Festivalit të Teatrove në Ferizaj në vitin 2020 duhet të përdoret për mbajtjen e festivalit këtë vit dhe kjo u është kumtuar edhe organizatorëve të festivalit.
Pra, edicioni i 50-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj këtë vit do të mbahet me mbështetjen financiare të MKRS, të ndarë në vitin 2020. Një rast i mirë i bartjes së buxhetit nga projekti i vitit 2020 në vitin 2021 është Chopin Fest, ku organizatorët me kohë kanë kërkuar nga MKRS që për shkak të pandemisë, buxhetin e paraparë për edicionin e vitit 2020 ta shfrytëzojnë në vitin 2021, pasi vitin e kaluar nuk kanë arritur ta organizojnë edicionin e festivalit, transmeton ‘rtklive’.