Ministria e Kulturës ka hapur konkursin për çmimet kombëtare vjetore në kinematografi; Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” dhe “Çmimin vjetor për Kinematografi”, i cili u jepet krijuesve të dalluar, që me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë.
Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”, u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës. Ky çmim mund të jepet edhe pas vdekjes së autorit.
Ndërsa, “Çmimi Vjetor për Kinematografi” ndahet çdo vit, autorit për veprat filmike të realizuara gjatë vitit paraprak kalendarik.
Çmimi Vjetor për Kinematografi, sipas vendimit të jurisë, ndahet çdo vit vetëm në njërën nga këto kategori: producenti më i mirë, regjisori më i mirë, skenaristi më i mirë, aktori/a më i/e mirë, drejtorit të fotografisë, skenografi më i mirë, kostumografi më i mirë, kompozitori më i mirë dhe animatori më i mirë.
Fituesit e çmimeve kombëtare për kinematografi duhet të jenë shtetas kosovarë, ndërsa propozimet për kandidatët për këto çmime bëhet nga institucionet publike shkencore, arsimore e kulturore dhe nga shoqata e produksioniet të filmit.
Të interesuarit do të kenë 30 ditë kohë për t’i paraqitur në Ministrinë e Kulturës propozimet e tyre.