Kështjella e rilindur e Ali Pashë Tepelenës mbart në vetvete histori vizitorësh të mëdhenj. Një nga më të shquarit është padyshim Lord Byron.
Nga Dorian Koçi
Ja si e përshkruan hyrjen në Tepelenë:
“Kurrë s’do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5 ndajnatherë kur po perëndonte dielli. Më solli në mend (me pak ndryshime të veshjes) përshkrimin që i bën Skoti kështjellës Brankseme në këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallaganë të qëndisur me ar me anteri e jelekë kadifeje të kuqe të qëndisur me oje të arta), me jataganë e pisqollë të sermët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arapë në galeri të madhe, të gjatë me kuaj të vendosur në një qilar përposhtë, dyqind atllarë të shiluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e muezinët që thërrasin izanë nga minaretë e xhamive – të gjitha këto me pamjen e jashtëzakonshme të ndërtesës vetë sajonin një skenë të re gëzimi për sytë e një të huaji.
(Lord Byron. Prevezë, 12 Nëntor 1809)
Një shekull e gjysëm më vonë, Ismail Kadare, përshtypjet e udhëtimit të tij drejt Tiranës nga Gjirokastra, me ndalesën e pashmangshme të autobusit në Tepelenë për të dorëzuar postën dhe për të marrë pasagjerë të tjerë, rikrijon sërish një skemë kozmopolite të historisë së qytetit të vogël.
Çajld Harold
Kalanë e Tepelenës unë e pashë;
E shkretë ish, bedenat pa njeri,
As roje, as shtiza, as Ali Pashë,
Më nuk kumbon, por heshtje, qetësi.
Nuk pashë un’ as zjarre sipër kullash,
As kuaj, as llambadha mbi xhami,
Por pashë tek libraria anës udhës
Si blinte “Çajld Haroldin” një fëmi.
(Ismail Kadare “Ëndërrime”, 1957)
Janë të gjithë personazhet e mundshëm në këtë poezi. Ali Pasha dhe Bajroni i fshehur në mantelin e poezisë të botuar në libër me emrin “Childe Harold” dhe një fëmi që pafajësisht hyn në botën e poezisë së madhe duke blerë një libër që sapo ka dalë në qarkullim. Kjo paraqitje e Bajronit nën mantelin e një emri tjetër, duket se i përngjan një rizbulimi të vjetër ballkanas me legjendën e vëllait të vdekur që vjen e troket në portë për të sjellë motrën dhe pastaj ikën sërish në zbrazëtirën që ka lënë në varrin e vet pas stërmundimit të madh për t’u rikthyer njëherë në jetë. Po Bajroni ç’mund të ketë dashur kur ka marrë rrugën e vet sërish për në Tepelenë përmes fjalëve dhe gjuhës së një njeriu që është mjeshtër i përkthimit? Kë ka sjellë nga humbëtira e varrit të vet diku larg në Britani?
Për vite me radhë shqiptarët u ushqyen mendërisht dhe estetikisht me veprat e letërsisë klasike që sillnin një aromë tjetër në bregun e ashpër të Adriatikut që nuk kish njohur në masën e duhur ose aspak as Rilindje Evropiane, as Iluminizëm as Revolucion Industrial. Në përpjekjen e tyre për t’u përshtatur me një botë që kish ndryshuar dhe vazhdonte të ndryshonte me shpejtësi marramendëse që nga momenti që ata kishin dashur ti bashkëngjiteshin, kishte çoroditje, se kujtonin se kishin gjetur rrugën (koha më vonë e tregoi se s’qe ajo e duhura), kishte utopi se do ndërtonin diçka të re (bota kish vite që ndërtonte gjëra të tilla), kishte iluzion se do viheshin në ballë të botës (botës i ishin dashur shumë vjet për të qenë aty ku ishte) por kishte dhe etje për kulturë dhe këtu bota mund t’i ndihmonte.
Ndoshta Bajroni i veshur me mantelin e “Childe Haroldit” rikthehej në Tepelenë pikërisht për këtë arsye, ndaj dhe Ismail Kadaresë as 20-vjeçar në atë kohë nuk i bënte përshtypje për të gjetur me imagjinatë “shtiza e llambadha”, as “kuaj as zjarre sipër kullash”, por libraria e hapur rishtazi në qytet dhe fëmija që pafajësisht i ndërpriste ndoshta rrugën autobusit që po e çonte poetin e ri drejt Tiranës. “Childe Haroldi” kish filluar shtegtimin e tij sërish në viset shqiptare ndoshta me vetëdije që kësaj radhe të mos i gjente më të rreptë por dhe më shumë të kënduar. Sfidë e madhe për një poet si Bajroni, për një vepër si “Childe Harold” dhe për një letërsi klasike e përkthyer në shqip.
Shumë vite më vonë, tashmë rreth 57 vjet më vonë, shikojmë se udhëtimi nuk ka qenë i kotë. Poeti riosh Ismail Kadare është bërë shkrimtar i madh dhe i lexuar në tërë botën në veprën e tij të shkruar në shqip e të përkthyer në gjuhë të huaja. Për më tepër ai ka udhëtuar në vendin e “Childe Haroldit” për të marrë një çmim prestigjioz për letërsinë, çka i bën krenar gjithë bashkëkombësit e tij.
Në Tepelenë është vënë një pllakat për Bajronin dhe njerëzit e përshëndesin gjithë ditën sa herë kalojnë nga qendra e qytetit, fëmija i pafajshëm mund të jetë bërë një nga bardët që qyteti ka nxjerr kohë pas kohe dhe qyteti nuk i përngjan më një fushëbeteje si e përshkruan Bajroni tek “Childe Haroldi”. “Koha ndryshon realitetet, njerëzit dhe ngjarjet” thotë një postulat i vjetër i perceptimit të saj. Sigurisht që është kështu. Nuk ka dyshim për këtë gjë, por në këto ndryshime në qytetin e vogël dhe simpatik jugor ka luajtur rol dhe Bajroni i ardhur me mantelin e “Childe Haroldit” i përkthyer në shqip nga një njeri me kulturë të madhe i quajtur Skënder Luarasi. Një kontribut i trefishtë si në përralla, i Bajronit, Childe Haroldit dhe Skënder Luarasit dhe njësoj si dhe në përralla ai që ka përfituar ka qenë fëmija që duke lexuar vargjet e famshme “Shqipëri o nënë e burrave të rreptë” ka hyrë në botën magjike të poezisë botërore.
ObserverKult
Lexo edhe: