Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar sot projektin e restaurimit të banesës ku u mbajt Konferenca e Labinotit, në Labinot-Mal të Elbasanit.
Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të ndërtesës, që kanë përfunduar me sukses.
Kjo godinë është ndërtim i shek. XX dhe është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë për vlerat historike që mbart, pasi këtu është mbajtur Konferenca e Labinotit, në datat 17-22 mars 1943.
Konferenca e Labinotit është konferenca e parë, e cila vendosi për krijimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, ku në bazë të vendimit u krijua më vonë edhe Shtabi i Përgjithshëm UNÇL, si dhe ndikoi në zgjerimin e Luftës Nacionalçlirimtare.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore./atsh