Mirdita, kjo krahinë malore me bukuri të rralla

Mirdita, një nga krahinat më të bukura në Shqipëri, me pasuri të gjithanshme mbi e nëntokësore, me burime dhe klimë malore të lakmueshme, me florë e faunë të pasur, fton e pret miq, siç di të presë ajo. Autostrada Durrës-Morinë, rreth 70 km të së cilës përshkojnë mes për mes territorin e Mirditës, është edhe një shans që krijon mundësi për shfrytëzimin e resurseve turistike malore që ka Mirdita. Gjithashtu veprat e shumta të artit, i japin bukuri të rrallë gjithë luginës së Fanit të Vogël që e përshkon.

Relievi i kësaj zone në gjithë brezin gjeografik, që nga bjeshka e Kaçinarit, Munella, Zepa, Bjeshkët e Oroshit, Valmor, Kroi i Bardhë e deri në majën e Kunorës, dallohet për një zhvillim të shumëllojshëm të proceseve karstike. Më e veçantë është Lugina e Përroit të Urakës (degë e lumit Mat), në shpatet e së cilës ndodhen disa nga shpellat më të rëndësishme. Në këtë brez numërohen me dhjetëra shpella, secila më interesante se tjetra dhe shumë të komplikuara.

Në mënyrë të rastësishme nga njerëz jo specialistë, në shpellën e Mërkurthit janë zbuluar gjetje arkeologjike që i përkasin periudhës së neolitit, por fatkeqësisht këto gjetje nuk kanë ngjallur interesim tek specialistët e fushës. Bën përjashtim shpella Kusia e Ndue Gjonit në mes të Mërkurthit dhe Kurbneshit, në të majtë të Përroit të Urakës, të cilën e kanë zbuluar dhe studiuar më 1994 një grup speleologësh të Romës, bashkë me speleologë shqiptarë.  Studimi ende nuk ka përfunduar. Sipas studiuesve, shpella ka vlera të mëdha shkencore, kulturore, didaktike e turistike. Prandaj është shpallur monument natyror.

Nënshejti-Fushëlugje është një fshat i vogël për nga numri i shtëpive, por i madh për nga bukuritë natyrore që e rrethojnë. Në këtë mjedis qëndrojnë pranë e pranë mali, pylli, ara, shkëmbinjtë e bardhë, blloqe lajthish, shtëpitë karakteristike me dyer te stolisura nga dalta e mjeshtërve të gurit, burime ujore të kristalta. Në shkëmbinjtë e bardhë në anë të fshatit, kanë gjetur folenë shumë pisha që kanë dekoruar bukur faqet e shkëmbinjve masivë, thua se i ka qëndisur dora e një artisti.

Në verilindje të Nënshejtit, pasi kalon lëndina e blloqe lajthish, një tjetër kënaqësi të jep liqeni i Konajt, që duket si sy magjik në mes të gurëve të bardhe. Maja e Shelbuemit dhe Shkalla e Shejtit, me gjurmët e një historie të lashtë, zbresin me pjerrtësi nga ana e  Nënshejtit që të krijon pamjen  e nje ekrani me shumë ngjyra. Kurse në anën tjetër, këto zbresin butë në një mjedis karstik me forma të ndryshme relievi, si gropa, hinka pranë njëra tjetrës që ngjanë me hojet e bletës. Në mesin e këtij mjedisi, jo shumë larg njëra-tjetrës, ndodhet Shpella e Akullit dhe ajo e Stërqokëve. Secila ka një histori.

Pas dy kilometrave, në drejtim të lindjes shfaqet Fusha e Lugjeve, një rrafshnaltë  me  një  lartësi  1150 m  mbi nivelin e detit, me një tjetër panoramë joshëse, e rrethuar me kodrina ovale të mbuluar me bar që gjelbëron gjatë gjithë muajve të verës, me një lartësi relative 100-150 m. Në mes të fushës një burim uji dhe, pak më në lindje, një rezervuar në formën e një liqeni të vogël, që ia shton bukurinë këtij mjedisi.

Tufat e bletëve që gumëzhijnë me atë melodinë e tyre, sikur u këndojnë shumëllojshmërisë së luleve, që vizitojnë në flladin e bjeshkës që freskon gjatë gjithë verës. Në verilindje të Fushlugjve ka edhe lartësi deri 1500 m me një sheshpamje të gjerë. Katër-pesë kilometra më në lindje, pasi kalon pyllin e Frashit (me pisha e ahe) duket fshati i vogël Lajthizë, mjaft piktoresk, i lidhur së fundi me rrugë makinë të rregullt.

Duhet nënvizuar fakti se për vlerat që ka bjeshka e Oroshit, si pasuri kombëtare, 4700 ha, me shume të drejtë është shpallur Rezervë e Resurseve të Menaxhuara (sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.102, datë 15.01.1996),  që do të thotë se mbrohet nga shteti. Por të thuash të drejtën, mbrojtja këtu çalon. Po rrënohet pylli nga prerjet pa kriter, nuk ka ripërtëritje të pyllit, nuk pastrohen drurët e djegur e tjerë.

Përveç Nënshejtit e Lajthizës, janë edhe fshatrat Ndërshenë, Shëngjin e Lari, që mundësojnë turizmin familjar. Mikpritja në traditën e mirditorit është një nga virtytet më të rëndësishme e të hershme. Por turizmi familjar për mirditorët  është një praktikë e re, që kërkon edhe parapërgatitje për krijimin e një mjedisi tërheqës për turistët. Kjo zonë nuk ka vetëm natyrën e bukur, por edhe një histori qindra vjeçare. Edhe pylli, edhe guri, edhe majat e maleve e kanë një histori. Për këtë flasin qartë edhe toponimet e shumta, që ka në këtë zonë. Mirdita ka edhe shumë qendra arkeologjike si në Prosek, Përlat e Bukmirë, Kodër Rrëshen dhe Bukël.

Të njohura në harta dhe si Bjeshkët e Kuzhnenit, përbëjnë një bllok të pandarë Bjeshkët e Kaçinarit me bjeshkët e Tërbunit (Pukë), me majën më të lartë atë të Suçelit 476 metra. Bjeshka e Kaçinarit shtrihet në pjesën veriore të lumit Fani i Madh. Është përgjithësisht një bjeshkë nga më interesantet në Veriun e Shqipërisë, me dy fusha (Laja e Madhe dhe Laja e Vogël), Fushën Gjobardh, Fushë Benën, Livadhin e Hamzit etj. Është shfrytëzuar për disa dhjetëvjeçarë lënda pyjore e saj, si dhe bimët industriale qershigla, kërpudha etj. Burimet ujore të kësaj bjeshke sigurojnë bimësi të shëndetshme në fshatrat Kuzhnen, Gjegjan, Kaçinar, Arrës, Shtuf, Shëngjergj, Gjazuj. Nga kjo bjeshkë nis burimi i lumit të Gjadrit që përshkon Zadrimën me të cilën kufizohet Mirdita në pjesën perëndimore të saj.

Ato që po përmendim në këtë shkrim janë pak, për bukuritë dhe resurset turistike mund të flasë vetëm ai që i ka parë. Por për fat të keq, nënvleftësimi këtu është i qartë e i dukshëm. Është folur e shkruar shumë për mundësitë e zhvillimit të turizmit malor, por kanë mbetur vetëm llafe. Akoma asnjë masë konkrete për organizimin e këtij tregu  kaq të nevojshëm, nga i cili përfiton shteti, biznesi dhe komuniteti vendas. Është pak e vështirë të përcaktohet se këtu kemi të bëjmë me paaftësi, mos njohje, indiferentizëm, neglizhencë apo të gjitha së bashku?!

Të huajt për Mirditën

Për veçoritë e Mirditës të natyrës dhe të njerëzve kanë folur shumë personalitete të kulturës artit dhe politikës që e kanë njohur këtë krahinë, që kanë studiuar apo shkelur në të. Ne do do të sjellim shkurt disa prej konsideratave të tyre:

Ami Bue, etnograf, gjeolog, udhëtar francez: “Është mirë të vizitosh trevat e pavarura të Mirditës në fortifikatat e tyre malore, ku këmba e osmanëve kurrë nuk ka mundur të shkelë. Aty vërejmë institucionet që ekzistonin që nga koha e Skënderbeut e që janë të ngjashme me ato që gjendeshin në Skotlandën e kohës së mesme, atje mund ta njohim më mirë shqiptarin e vërtetë…”

Artur Mur, studiues, udhëtar: “Mirdita është një “botë” aq e çuditshme në Europë sa që meriton të studiohet me kujdes. Është krejt indipendente dhe e ka mbrojtur këtë mëvehtësi shekuj me radhë.

Tobias Svenningsen, albanolog: Në albanologji Mirdita njihet si një nga qendrat kryesore të kulturës shqiptare…

Sami Frashëri:“Mirditorët janë të krishterë katolikë, burra besnikë e trima…”

Johan Hahn, albanolog, gjuhëtar austriak: “Mirditorët nuk pranuan ta njohin sulltanin si të parë edhe mbasi ra Shkodra, ndaj dhe sot është si një shtet i vogël më vete nën trashëgimtarët e princit…tek ata, ndërgjegja e origjinës së përbashkët përbën parimin bazë të rrethanave shoqërore, ata janë fise të vërteta…”

Franc Nopcha, studiues, albanolog anglez: “Mirditorët zotërojnë një zgjuarsi të madhe gati-gati të pashpjegueshme në kushtet në të cilat jetojnë…”

August Degrand, konsull francez në Shkodër në shek. e 19-të: “Në këngët shqiptare kur vajtohet një betejë e humbur, heronjtë e rënë, për dështimin e pësuar ia vënë fajin mungesës së mirditorëve në radhët e tyre.”

Visaret e Kombit: “Vajet e Mirditës janë në za. Mirditorja qan thekshëm…që të ban me kujtue disi poetët e motshëm: elegjinat e Tibulit e ma mirë të grekërve të vjetër.”

Simon Jubani: Kam qenë famullitar në Ungrej me 15 katunde. Mirditasit janë njerëzit më fetarë e kombëtarë që kam njohur…”

Peter Bartl, albanolog gjerman: “Kushdo që merret me historinë e Shqipërisë nuk mund t’ia dilte më anë pa u marrë me Mirditën…”


ObserverKult


Lexo edhe:

12 FISET MË TË NJOHURA SHQIPTARE