Tunele dhe dhoma ende të pashkelura gjenden të fshehura në brendësi të monumentit madhështor të antikitetit, Piramidës së Keopsit, por edhe në piramidat e tjera dhe në varrin e Tutankhamunit.
Këto janë rezultatet të një projekti të ri, “Sean Pyramids”, që përdor teknologjinë moderne si skanimi me rreze infra të kuqe për të kërkuar në zbrazëtirat e fshehura ndërmjet gurëve. Po për çfarë shërbenin këto vende të fshehta?
Ku dhe pse i kanë ndërtuar egjiptianët ato? Dhe, më në përgjithësi, në bazë të çfarë kriteresh i projektonin monumentet e tyre, në përputhje me pozicionin e yjeve dhe të Diellit?
Kërkimi për Nefertitin
Hulumtimet e “Sean Pyramids” u përqendruan menjëherë mbi dy nga misteret më interesante: varrin e Tutankhamunit dhe piramidat e periudhës së Keopsit, të cilat gjithashtu kanë të bëjnë me vende dhe epoka shumë të ndryshme mes njëra-tjetrës.
Le t’ia fillojmë nga Tutankhamuni, faraoni fëmijë që u lind në vitin 1341 P.E.S dhe u bë i njohur pasi dhoma e tij e varrimit u gjet e paprekur në vitin 1922, në Luginën e Mbretërve pranë Luksor, në jug të Egjiptit.
Në lidhje me shkaqet e vdekjes së tij u tha gjithçka. Disa thonë se u vra; sigurisht hetimet nëpërmjet tomografisë aksiale të kompjuterizuar çuan në përfundimin se ishte malaria dhe disa plagë ato që e vranë faraonin kur qe vetëm 19 vjeç. Më tepër nuk dimë. Tashmë kërkimet janë fokusuar tek dhoma e tij e varrimit.
Duke përdorur teknikën e termografisë me rreze infra të kuqe, e cila është e aftë për zbulimin e anomalive të vogla termike, është në fakt i mundur zbulimi i pranisë së xhepave të ajrit pak më të ngrohtë ose të ftohtë pas mureve. Në këtë mënyrë janë gjetur tregues të një ose më shumë dhomave të fshehta.
Për të konfirmuar ekzistencën e tyre arkeologët do të kenë nevojë edhe për grimcat që vijnë nga qielli dhe që e depërtojnë gurin si dhe rrezet X që lejojnë gjithashtu zbulimin e pranisë së hapësirave boshe.
Në fund, është me interes të kuptohet nëse ngjitur me varrin e Tutankhamunit ndodhet një varr tjetër (për të mbrojtur atë nga grabitësit e varreve); ndoshta nëna, sipas arkeologut Nikolas Rivs, e cila mund të jetë dhe mbretëresha e bukur dhe e fuqishme Nefertiti. Kjo e fundit ishte gruaja e Akhenatonit, Faraonit “heretik”, i njohur për vendosjen e kultin monoteist të perëndisë Aton, duke ndryshuar atë të perëndive tradicionale dhe u armiqësuar me klerin e Tebës.
Akhenatoni është konsideruar babai i Tutankhamunit, por shumë detaje të marrëdhënieve të tij me djalin, gruan e tij dhe gratë e tjera të tij nuk janë të qarta. Kështu dhoma e fshehtë e Tutankhamunit mund të dhurojë thesaret e reja dhe t’i zgjidhë këto mistere.
Shkallë të fshehura
Por kërkimet e reja që do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti kanë të bëjnë kryesisht me epokën e artë të piramidave, si ajo e Keopsit dhe të afërmve të tij, si babai Sneferu dhe i biri Khafre, 12 shekuj para Tutankhamunit. Në Piramidën e Keopsit është identifikuar tashmë një zgavër me drejtim nga lindja në nivelin bazë, ndërsa dhoma të tjera të vogla duket se janë të fshehura në pjesën e sipërme.
Dhe për çfarë bëhet fjalë? Nuk e dimë. Federiko Kontardi, egjiptolog në Universitetin e Monpeljesë në Francë, komenton: “Sipas arkitektit francez Zhan Pier Hudin, për të lëvizur më mirë materialet të ndërtimit egjiptianët do të kenë përdorur një shkallë në formë spiraleje me kahe nga brenda, e cila do të mbyllej në fund të punimeve. Teknikat e reja mundësojnë verifikimin e kësaj hipoteze. Pjerrësia e ulët do të kërkonte ndër të tjera përfshirjen e më pak punëtorëve: në fakt u deshën vetëm 5 mijë, kundër 100 mijë njerëzve në të shkuarën”.
Shkallët për në qiell
Pak më e qartë është arsyeja pse egjiptianët, në një farë pike, filluan të ndërtojnë varre në forma piramidale. “Piramida përfaqëson kodrën e dalë nga kaosi i lëngshëm, nga ku sipas mitologjisë egjiptiane nisi krijimi i botës”- thotë Kontardi. “Këto monumente janë konsideruar si shkallët për të arritur qiellin”. Prototipi është piramida me shkallë e Faraonit Xhoser në Sakara, 35 kilometra në jug të Kajros, e cila është realisht një shkallë gjigante dhe është ndërtuar në shekullin e XXVII P.E.S, rreth njëqind vjet para asaj të Keopsit.
Më herët, mbretërit qenë varrosur nën platformat drejtkëndëshe, të cilave iu mbivendosën më vonë platforma të tjera më të vogla, deri në formën që ne i njohim sot. Pra gjithçka e qartë?
Jo tamam: jo të gjithë piramidat ishin varre. Përgjatë gjithë rrjedhës së Nilit në Egjipt ekzistojnë disa piramida që nuk kanë dhomën e varrit. Pse? Këtë nuk e dimë. “Ndoshta ishin simbole të familjes mbretërore”- hamendëson Rokati: një mënyrë për të riafirmuar pushtetin e faraonit mbi territorin.
Një tjetër mister ka të bëjë me “piramidën fantazmë “Userkare”, i vdekur në moshë të re rreth vitit 2300 P.E.S pas vetëm 2 vjetësh mbretërimi: është e dokumentuar se ndërtimi i piramidës së tij filloi, por askush deri më sot nuk ka gjetur asnjë shenjë të saj. Duket sikur është përpirë nga hiçi.
“Baza e saj mund të gjendet poshtë njërës nga dunat e Sakara-s”, vë në dukje Xhulio Malji, arkeoastronom dhe profesor në Universitetin e Milanos. “Zbulimi i saj do të jetë shumë i rëndësishëm, pasi mund të na rikthejë shënime të çmuar të teksteve të piramidave”. Domethënë mbishkrimet magjiko-fetare të pranishme në monumentet e varrimit të asaj epoke, të dobishme për të kuptuar besimet e egjiptianëve për jetën pas vdekjes.
ObserverKult