Stefan Cvajg, një nga shkrimtarët dhe studiuesit më të mirë të shekullit XX, lindi më 28 nëntor 1881 në Vjenë të Austrisë. Djali i një industrialisti izraelit, nuk u privua asnjëherë të ndiqte pasionin e tij.
Vizoi studimet në Austri, Francë e Gjermani për letërsi, filozofi dhe histori dhe në moshën 23-vjeçe mbrojti doktoraturën për filozofi në Universitetin e Austrisë. Atmosfera kozmopolite e Vjenës perandorake i ushqeu kuriozitetin për të parë botën mbarë, për të hulumtuar gjithçka që i ngjallte kureshtje.
Cvajgu, shkrimtari, gazetari dhe biografi i pakrahasueshëm, lëvroi në zhanre të ndryshme të krijimit artistik: në poezi, ese, tregime të shkurtra, drama, veçanërisht i paharruar për karakteret e tij imagjinarë dhe historikë. Po ashtu shquhet për prozën brilante, esetë dhe biografit që u bëri personalitete të shquara të letërsisë dhe kulturës botërore si Dostojevski, Niçe, Tolstoi, Frojdi etj.
Cvajg fëmijërinë dhe rininë e kaloi në Vjenë, ku botoi edhe librin e tij të parë, një vëllim me poezi në vitin 1901. Pasi mori doktoraturën udhëtoi nëpër Evropë, para se të qëndronte përkohësisht në Salzburg të Austrisë në vitin 1913.
Në 1934, përndjekur nga nazistët emigroi në Angli dhe më pas në Brazil në vitin 1940 nëpërmjet Nju Jorkut. Duke u përballur gjatë gjithë jetës me vetminë dhe zhgënjimet nga shoqëria, ai dhe e shoqja kryen vetëvrasje.
Krijimtaria e shumtë dhe e thellë e shndërruan Cvajgun në një shkrimtar të paklasifikueshëm. Tejet i ndjeshëm dhe përjetësisht i shqetësuar, ai i përshkruan me saktësi mbresëlënëse vuajtjet dhe mundimet emocionale të personazheve të tij, të gjithë viktima të pasioneve shkatërrimtare.
Të shkruarit konciz dhe efikas, si dhe rëndësia e dimensionit psikologjik në tekstet e veta e shndërrojnë atë në një shkrimtar modern, gjithmonë i vlerësuar në ditët e sotme.
Stefan Cvajg është shkrimtari austriak, novelat e famshme të të cilit “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje” apo “Novela e shahut” pakkush mund të mos i ketë lexuar.
Shkrimtar që i emocionon gjithmonë lexuesit me efektin dhe magjepsjen që shkaktojnë veprat e tij, përshtypje që nuk shterojnë kurrë. Sa herë që shfaqet emri i Cvajgut, suksesi është i padiskutueshëm, pasi ai ka një gamë të gjerë personazhesh.
Autori flet shpesh për femrat, një shkrimtar që i donte gratë jo vetëm për jetën dashurore, por kishte kuptuar rëndësinë dhe rolin e saj të rëndësishëm në gjirin e shoqërisë.
Është një autor tragjik-me elegancë. Në veprat e tij nuk ka fund të lumtur, por një zymtësi e praruar gjithnjë me elegancë. Melankolia është e bukur dhe dështimi nuk është asnjëherë fajtor. Heronjtë e Cvajgut martohen me një fat që i kalon kufijtë. Po ashtu ai mbetet mbreti i romancës. Post-romantik? I pasionuar? Dashnor i zymtë? Stefan Cvajg është pak nga të gjitha dhe po kështu në libra guxon pasionet e pangopura si tek “Zjarret e dashurisë”. Eksploron të pandërgjegjshmen dhe dëshirat e pashpallura, me një stil të drejtëpërdrejtë dhe thuajse të shkujdesur.
Përkundër bashkëkohësve të tij si Tomas Mani, Rainer Rilke, Robert Musil apo Joseph Roth, që mendonin se stilit të Cvajgut i mungonte eleganca, lexuesit e çmojnë tonalitetin e një gjuhe gati të përditshme që favorizon një lidhje të drejtpërdrejtë, aq sa lexuesi krijon përshtypjen sikur teksti po i rrëfehet në rrjedhën e mirëbesimit.
Duke qenë dëshmitar i një bote që lëkundet, midis botës së djeshme dhe botës që shndërrohet, Cvajgu e përshkruan më mirë se kushdo lëkundjen e qytetërimeve të ndryshme. Nga ana tjetër, kujton nostalgjinë e një periudhe të artë, mishëron nostalgjinë e një Evrope të lavdishme.
Në rini shprehej se vlerësonte se “letërsia nuk është jeta”, se ajo “është veçse një mënyrë ekzaltimi i jetës, një mënyrë për ta konceptuar dramën në mënyrë më të qartë dhe më të kuptueshme”.
Ka shkruar një mori veprash, ndër të tjera “Bota e djeshme”, të cilën e shkroi pas largimit nga Austria në vitin 1934, ku parashikonte nazifikimin e vendit të tij, “Orët yje të njerëzimit”, “Legjenda dhe portrete”, “Shandani i varrosur”, “Mari Antuaneta”, “E fshehta e Bajronit”, “Amoku”, “E fshehta përvëluese”, “Letra e një të panjohure” etj., apo biografitë e ndryshme “Niçe”, “Dostojevski” etj
Aforizma shkëputur nga veprat e tij:
“Vetëm njeriu që ka provuar dritë dhe errësirë, luftë dhe paqe, ngritje dhe rënie, vetëm ai njeri e ka jetuar vërtet jetën”.
“Çdo dallgë pavarësisht sa lart dhe fuqishëm kreshpohet, do të rrënohet brenda vetvetes”.
“Fati nuk është kurrë bujar, madje as për të favorizuarit. Rrallë perënditë i bëjmë më shumë dhurata një të vdekshmi se një të pavdekshmi”.
“Do të ishte marrëzi të llogarisësh në ndërgjegjen e botës”.
“Njeriu duhet të jetë i bindur vetë për t’i bindur të tjerët, në mënyrë që të ketë entuziazëm dhe t’i nxitë ata”
“Gjithë jetën time më kanë ngjallur interes monomanët, të cilët i sundon ideja e një pasioni të vetëm, sepse sa më të kufizuar të jenë njerëzit, aq më tepër i afrohen infinitiv”.