Mitrush Kuteli: Eja… tani s’rri dot pa ty…

kutelit
Mitrush Kuteli

Nga Mitrush Kuteli

Dëgjon, Etlevë?-e pyeti ai përsëri.
Ajo brofi, duke këputur fillin e ëndërrimeve, pa se ishin të dy aty, afër dushkut që e kish djegur zjarri i qiellit, qeshi dhe iu përgjigj:

-Dëgjoj.
Enkeleu u përkul dhe i çiku lehtë buzët me të tijat: qetas, ëmbël, kalimthi.
-Ti ku e ke mendjen?
-Këtu.
-Asgjëkund tjetër?
-Asgjëkund. Ku ta kem. Ti je këtu.
Enkeleut i fluturoi në fytyrë një nënqeshje pak si dyshonjëse e pak si thumbace ashtu siç bënte vetë Etleva.
-Thashë, –tha-mos të ka joshur ndonjë fyell bariu në ndajnatat kur shuhet dielli në malet e Kandavisë dhe kur ndizet hëna këtej, duke ardhur nga pellgjet e Pellagonisë.
Ajo e shikoi me të qortuar, aq më fort se Enkeleu kish të drejtë. Me të vërtetë shumë barinj të afërm dhe të largët-nga ata që sillnin mandrat për të kullotur në Mal të Thatë-ishin munduar ta joshnin me tinguj fyejsh e kumbime psherëtimash. Dhe puna u kish vajtur kot, sepse ajo një zemër kish dhe këtë ia kish falur Enkeleut.
U vrenjt dhe e shikoi qërtonjëse.
-Mirë, mirë, -i tha Enkelu. –Unë u ktheva nga ushtria dhe nuk do të shkoj më.
-Po, u ktheve.
-Tani s’rri dot pa ty.
-As unë. Eja këtu lart, -tha ajo duke lidhur fijet e çaprashitura të ëndrrës së çaprashitur. –Do të shtojmë gjënë e gjallë, do të bëjmë shumë bulmet. Në verë e në vjeshtë do të mbledhim haje për të dimëruar, më vonë do të dëgjojmë mjegullën, erën, ujqit, valishtet e dëborës. Do të dalim bashkë për gjah. E marrim edhe xhaxho Edipin, se ka mbetur i gjorë, filikat.
-Ç’po thua ashtu, Etlevë? Është koha e të korrave.

Duhet të futim bukën brenda, për gjithë vitin. Edhe hajen e qeve, të lopëve, të viçave, të kuajve. Pastaj do të vjelim vreshtat. Rrush të fraquar. Musht. Verë. Mollë e dardha. Do të mbushim shtëpinë plot. Më tej, buzë dimrit ose më parë, do të martohemi. Dhe kur të më thërresë mbreti ynë, do të shkoj të luftoj.

Fjalët e tij kishin qenë si një vesë e hollë, e akullt, që shkund gjethet në vjeshtë. Tani kjo vesë e akullt nuk shkundte gjethe, po shkundte ëndrra. Ajo kuptonte e s’kuptonte gjë. Enkeleu vazhdoi:
-Merr vesh! Kur të bëhet mushti verëm, do të kemi dy dasma: ti dhe Artana, unë dhe Genthi. Ti do të lesh perënditë e vatrës suaj dhe do t’u bësh fli perëndive të vatrës sonë, kurse Artana do të lërë perënditë e vetrës sonë… Dëgjon?
Etleva e shikonte si nëpër gjumë: kuptonte e s’kuptonte. Çudi, sa shumë ishte ndryshuar! Njëherë e njëkohë kur nuk dashuronte, rrinte e ftohtë akull, kurse tani ish zbutur si dylli pranë zjarrit. Po, po, ajo, Etleva krenare , shigjetëtarja, gjahtarja, donte të zemërohej e nuk mundte.

Sapo i vinte ai dorën mbi dorë, mbi sup a mbi flokë, sikur kredhej në një liqer lumtërie. Pse ndodhte kështu?
Nuk dinte. I vinte të vraponte e të thërriste:  Dëgjoni, dëgjoni, shoqe! Jam e lumtur, e dehur me verë mjalti.

Ardhu Enkeleu, i fejuari im. Tani nuk do të ndahemi kurrë. Fejohuni, që të dini ç’është lumturia!

(Shkëputur nga “Ditë paqeje e ditë lufte në Enkelinë e mbret Bardhylit” të Mitrush Kutelit)

Përgatiti: ObserverKult


kutelit
Mitrush Kuteli

Lexo edhe:

ÇKA THOSHTE MITRUSH KUTELI PËR POETIN E NJOHUR UKRAINAS, TARAS SHEVÇENKO?

Për herë të parë, poetin e madh ukrainas Taras Shevçenko, për lexuesin shqiptar e solli Mitrush Kuteli. Ai rrëfen si e pat prekur jehonën dhe praninë e poezisë dhe shpirtit liridashës të Shevçenkos në popullin e vendit të vet, në Ukrainë.

Si kemi spjeguar tek libërthi ‘Net moldave’, Kuteli u ndodh në Ukrainë jo si fanatik lufte, por si i dënuar për veprimtarinë e tij ekonomike në Rumani, në favor të popullit rumun dhe në dëm të ekspansionit nazist.

Asokohe Kuteli nuk e pati ditur se edhe fati jetësor i tij do t’i përngjante fatit të poetit të madh ukrainas, i cili qe dënuar për kohë të gjatë nga Cari: “Do të ndalohet të shkruajë dhe të pikturojë’… Dhe në kuadrin e Ukrainës të sotme, që po lufton me kurajo të pashoqe kundër një superfuqie, Kuteli na zbulon nëpërmjet një analize plot lirizëm, sesi vargjet e Shevçenkos rrëfejnë sa fort është e rrënjosur ndjenja e luftës për liri në shpirtin e popullit ukrainas.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult