“Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë është hë për hë një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s’di marifete e hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë . Të vrasin shokët se ju bën hije. Dhe kur u bën hije do të thotë që nuk je i zoti për letërsi…”, kështu shkruante Mitrushi në Testamentin e tij, transmeton ‘konica.al’.
Letrat shqipe do të mbajnë të gdhendur në përjetësi, fjalët e arta të rrëfimit më mjeshtëror. E gjithë jeta e këtyre trojeve, do të gjente pasqyrimin më intim dhe njëherësh, më të pastër të jetës zakonore. Proza e Mitrush Kutelit, përcjell në breza tablonë më fisnike, më të larmishme dhe atë më të detajuarën, të legjendave që flasin me shpirtin e shkrimtarit.
Poezia e Emineskut, përkthyer mjeshtërisht prej tij, apo proza gjeniale e Gogolit do të vinin me një shqipe të pashoqe: të rrjedhshme e plot ngjyra.
Poeti kombëtar i Rumanisë, Mihail Eminesku, flet shqip nga viti 1939, me shqipërimin e Mitrush Kutelit, poeti i madh i Ukrahinës, Taras Shevcenko flet shqipen e kulluar të tij, Gogol – shkrimtari i madh rus, me “Frymë të vdekura”, mban nënshkrimin Mitrush Kuteli… Po sa e sa libra të tjerë, përkthyer nga rusishtja, rumanishtja, italishtja, frëngjishtja mbajnë përsëri një emër: Mitrush Kuteli.
Si njohës, admirues dhe mirënjohës i shqiptarëve që bënë kombin, Kryeministri shqiptar Edi Rama, mes të tjerash gjen kohë gjithmonë për të bukurën… Kështu e nderon ai, figurën e një atdhetari të përkushtuar të fjalës shqipe, në ditëlindjen e tij:
Postimi i plotë i Edi Ramës:
💐HOMAZH
MITRUSH KUTELI është padyshim një nga shkrimtarët, intelektualët, mendimtarët dhe shpërblestarët më të ndritur të nënës Shqipëri. Ai lindi në Pogradec më 13 shtator 1907, me emrin Dhimitër Pasko.
E kujtojmë sot Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin, me admirim dhe mirënjohje për fuqinë e penës dhe forcën e shembullit përmes të cilave, i fali letërsisë shqipe të shek. XX një grumbull xhevahiresh të mrekullueshme.
Ekonomist e specialist i sistemit bankar dhe i prirur për studimin e këtyre disiplinave, ai gjeti tek letërsia një dashuri hyjnore, të cilës ia fali pa kursim vlerat e shpirtit të tij. Jeta e tij polikromatike dhe krijimtaria e larmishme nuk mund të mos e vinin në shënjestrën bardhezi të syve të regjimit komunist. Por falë Zotit dhe për lumturi të brezave, Mitrushit të madh iu dha mundësia të vijonte edhe pse me vështirësi, të hidhte në qindra faqe, dhjetëra shkrime brilante.
Autor që dha kontribut në çdo lëmë letrare, ai ka lënë mbi të gjitha një “ligjërim mbi etikën” e mendimtarit aty ku Descartes e la një të tillë për metodën. Cilësia dhe serioziteti i kritikes letrare të Dhimitrit arriti në atë pikë katarsisi sa iu përvesh vetë krijimtarisë së Mitrushit, si në rastin e përshtatjes në shqip të veprës së Emineskut. Në përmbledhjen pak të njohur “Shënime letrare”, kritika e tij që s’ka të paguar i vuri gishtin një problemi të madh shqiptar, sot e gjithë ditën stërmundues; atij të shkrimtarucit të vetëkënaqur që “t’i hedh romuzet si lopa bajgën e të përndjek portë më portë e hale më hale për pak vëmendje, lajka të kota e ndoshta ca pare”.
“Është fort e rëndë të thuash se në këtë kuadër shqiptar kaq të vrazhdët, qoftë edhe në botën e shkrimtarëve (dhe veçanërisht në këtë bote!) ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht” ose, të paktën, të rri me kokë me nj’anë, sepse nuk e lavdërove sa desh ay vetë. Në këtë kuadër të vrazhdët, them, ku je i detyruar të pranosh – duke heshtur! – që një thes me kashte të quhet poet klasik ose filozof e një bostan-tavasi, poet, sociolog a s’di ç’tjetër batërdi”
Fjalë të urta, fjalë të drejta të një shqiptari të madh për t’u përtypur e ripërtypur në çdo kohë, aq më tepër në këtë kohë kur romuzet si lopa bajgën hidhen portal më portal e përndjekja për vëmendje, lajke e ca pare, vazhdon kanal më kanal…
#TëPAHARRUESHËM🙏