Nga Mitrush Kuteli
(Prejz. Niku M.a Popp)
Shqiptari i mërguar ka fatin e hidhur të jetë shumë herë objekt i një kurioziteti të çuditshëm. Kur një i huaj mëson se je shqiptar, fillon të vështrojë dhe të të flasë me një ironi të helmët. Të pyet sa kryengritje ngjasin në një vit, si rrojnë njerëzia në kështjella të gurta dhe qysh lipset të armatoset që të shkojë përmes Shqipërisë. Jashtë kufive, Shqipëria është e njohur si burim i kryengritjeve: një lloj Meksiku i Evropës.
Kujt i detyrohet vallë kjo atmosferë hostile për vendin tonë?
Pa fjalë, se edhe aktivitetit tonë bizar edhe pasivitetit oriental, po më tepër aktivitetit negativ të fqinjëve, të cilët taktikërisht përhapin mjegullën e gënjeshtrave midis botës së qytetëruar.
Mjetet e përdorura për krijimin e një mentaliteti hostil, janë të ndryshme edhe, që nga intrigat diplomatike e gjer në afirmacionet <<shkencore>> shtrihen dallgët e dyshimta të gënjeshtrës.
Një mik, nënshtetas jugosllav, më tregonte një ditë se profesori i gjeografisë u thoshte në shkollë që karakteristika e racës shqiptare është…disproporcioni trupor:
Shqiptarët kanë krahë të gjatë, sa kur rrinë më këmbë, krahët u arrijnë gjer në gjunjë. Kjo tregon se janë në një evolucion të vonuar. Konkluzioni: Raca shqiptare është një racë inferiore, sipas principit darvinian popujt inferiorë lipset të humbasin përpara popujve superiorë.
Dhe gjithë ai <<savant>> jugosllav, profesor në Shkup, pat afirmuar se shqiptarët e somë kanë ndryshuar pamjen duke pasur gjak sllavi në dej….
Midis kësaj atmosfere varfanjake, libra e z.Popp-asistent në Universitetin e Bukureshtit-na shfaqet e mbështjellë në dritën e një bujari kalorësie.
Ajo nuk përmban as helmin e një shovenisti jugosllav, as përkëdhelje ironike që pështjellin mendimet e dyshimtë të një P.Formentini, as frymën tutelare të z.Antonio Baldacci.
Thellësisht shkencore ajo nuk mund të jetë përveçse thellësisht njerëzore dhe objektive.
Në radhët që vazhdojnë do përpiqemi të hedhim një vështrim të përgjithshëm përmbi veprën në fjalë. Pjesa e parë e librit përmban shkurtimin e përshkrimit të një udhëtimi përmes Shqipërisë, të bërë në veprën e kaluar.
Rrëfimi shket i lehtë si një napë filmi duke përfshirë qendrat kryesore të Shqipërisë.
Fillon me Dursin tek perëndon një jetë e vjetër patriarkale për t’i bërë vend një tjetër jete, vazhdon me Tiranën e cila i duket një <<shantier gjigant>> në ndërtim e sipër, shfaqet pastaj Shkdora me frymën e saj impozante dhe masive. Pas këtyre vijnë Lushnja, Berati, Fieri, Vlora-vendi i tragjedisë kombëtare pas luftës,-Tepelena, Leskoviku dhe Korça.
Vazhdon pastaj një hyrje përmbi Shqipërinë, përmbi tingullin e dialekteve dhe përmbi formimin e tokës shqiptare te <<takimi harmonik midis malit, kodrës dhe fushës nuk ndihet asgjëkund më mirë se në Shqipëri. Prandaj Shqipëria është më i begatshmi kënd i sinisisë ballkanike. Duke filluar me drithërat e duke mbaruar me gazin, ajo përmban tërë vargun e begative në sasi të mjafta për nevojat e vendit e për t’u siguruar banonjësve një jetë të qetë >>.
Nga pikëpamja fizike z.Popp ndau Shqipërinë më dy pjesë: Shqipëria e ulët, e cila përfshin bazinin e Shkdorës, fushën e Tiranës, anëdetin, Myzeqenë dhe ripin Osum-Devoll-Shkumbin dhe Shqipëria e Lartë.
Që të dyja pjesët janë përshkruar hollësisht në librin e z.Popp, i cili ka meritën e lavdërueshme të zëvendësojë emrat barbarë të dhënë prej udhëtarëve të huaj me emrat e shkronjat shqipe.
Pjesa më me rëndësi e librit është pa fjalë << Vëzhgime antropogjeografike>> në të cilën z.Popp studion karakteristikat e racës, të banesave, densitetin e popullësisë. Kujton se në formimin e shtetit shqiptar parimi i kombësisë nuk u mor asfare parasysh. Vazhdon përshkrimi i qendrave dhe i qyteteve kryesore të Shqipërisë si edhe disa vëzhgime mbi gjendjen e elementit rumun.
Përveç këtyre në fundin e librit gjendet një shkurtim i studimit në gjuhën gjermanishte.
Vepra e z.Popp është një kontribucion i vlefshëm për njohjen e Shqipërisë. E difuzuar midis librave didaktikë të shkollave ajo mund të na sjellë shumë dritë dhe shumë miq për kohën e ardhme.
Duke njohur ndjenjat e kthjellëta të z. tij për Shqipërinë, shpresojmë se vepra e mësipërme është filimi i një aktiviteti të gjerë për studimin e Atdheut tonë.
Viti XII No. 461
Shqipëria e re
Konstancë 22 mars 1931
(Shkëputur nga libri ‘Vepra letrare 5 ‘ i Mitrush Kutelit)
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
E LA NË MOSHËN 14-VJEÇARE, FLET I BIRI I MITRUSH KUTELIT: NËSE DO T’IA KISHIN BOTUAR SHKRIMET MË HERËT, BABAIT DO T’I ZGJATEJ JETA
Pandeli Pasko Kuteli, djali i shkrimtarit të njohur shqiptar, Mitrush Kuteli, ka bërë një rrëfim për babain e tij në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News.
Ai ka deklaruar se babait i kanë sjellë shumë problematika për botimin e shkrimeve të tij, pasi nuk pranonin redaktorët. Kuteli ka theksuar se nëse do t’ia kishin botuar më herët, të atit do t’i zgjatej jeta si çdo shkrimtari. Kjo kur sheh veprimtarinë e tij letrare.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult