Mizoritë e komunizmit: Takim me gruan në kampin e Bedenit: “Foze, nuk po më njeh?!”

Ramazan Veli kish studiuar në Milano dhe Liezh dhe në vitet 1925-1943 u përfshi në aktivitetin tregtar të familjes së tij, duke rrahur Mesdheun me anijen “Vllazën Veli”. Ai u martua dhe pati 7 fëmijë me Dilfiruze Jellën, të cilët, me gjithë pasurinë  e madhe që kishin vënë me punë gjyshërit dhe babai i tyre, jetuan në skamje gjatë diktaturës, në bodrumin e shtëpisë, ndërsa Ramazani provoi, për dy vite të gjata si dhjetëvjeçarë, mundimet e kampit të Bedenit.

Nëse është deri diku e vërtetë që nuk ka dhembje më të madhe sesa të kujtosh kohët e lumtura në mizerie, siç shkruan Dante Aligeri, atëherë Ramazan Veli e ka provuar atë dhembje, sepse nuk mund të mos i faniteshin kohët kur ishte i lirë dhe studionte në Milano dhe në Liezh; zhvillonte aktivitetin e suksesshëm tregtar nëpër Mesdhe; shihte familjen e tij të rritej dhe ta mbushte, vit pas viti, me zëra gazmorë vilën verore buzë Adriatikut; ndërkohë që punonte si skllav në kampin e Bedenit dhe jetonte në barakat e atij vendi të humbur që mezi i gjendej emri. Nuk kishte mundësi tjetër veçse ta pranonte këtë mizerie, por sesa e dhimbshme ishte kjo, duke qenë dhe e padrejtë dhe e pakuptimtë, vetëm njerëzit që e kanë përjetuar e dinë.

Ishte fillimi i viteve 1900, e megjithatë Ali Veli, babai i Ramazanit, mendonte t’i formonte djemtë e tij me dijet e plota që ofronin sistemet shkollore të vendeve të zhvilluara, ndaj djali i madh Ramazani, shkoi në Milano për shkollën e mesme, ndërsa tjetri, Hyseni, në Vienë. Qëndroi po aty për të vazhduar shkollën e lartë, ndërsa Ramazani u zhvendos në Universitetin e Liezhit në Belgjikë, ku studioi Ekonomi. Më pas u kthye në vendlindje dhe dha ndihmën e tij të për aktivitetin tregtar të familjes. Ishte sigurisht një ndihmë e vyer me dijet e fituara në Universitetin e Liezhit në këtë fushë. Familja Veli, me banim në Durrës, nga viti 1925 nisi të kishte marrëdhënie të suksesshme tregtare me vende si Italia, Malta, Turqia, Egjipti etj., por në vitin 1933, pasi blenë në Itali një anije veliere 250-tonëshe, tregtia arriti në zenit, siç tregon nipi i Ramazanit, Besfort Veli, duke përparuar “me vela të fryra”. Nisi të lundronte në Mesdhe me emrin e të zotëve, por edhe që i shkonte aq shumë një veliere. E quajtën “Vllazën Veli”.

Gjatë kësaj periudhe, Ramazani ndërtoi edhe një vilë dykatëshe buzë detit, në zonën e hekurudhës, pranë së cilës vite më vonë do të ndërtohej hotel “Adriatik”-u. Me siguri durrsakët, por edhe shumë pushues duhet ta mbajnë mend, edhe pse vila, gjatë diktaturës, nuk rrezatonte më elegancën e rezidencës verore të familjes së njohur, por shpërndante hijen e rëndë të postës së policisë nga ku përgjoheshin turistët e huaj që qëndronin në hotel “Adriatik”. Ndodhi edhe diçka tjetër e mbarë në jetën e Ramazanit, gjatë këtyre viteve: për gjithë romantikët edhe më e rëndësishme sesa zgjerimi i tregtisë. Ish-studenti i Liezhit, tashmë një nga të rinjtë më të pasur të Durrësit, u martua me Dilfiruzen, vajzën e vetme të Ramazan Jellës.

Një përrallë durrsake

Ramazani mund të thoshte, pa e tepruar, që bashkëshorten e njihte që kur ajo kishte hapur sytë.

Baballarët e tyre, Ali Veli dhe Ramazan Jella, ishin miq dhe familjet kishin hyrje-dalje. Ai ishte 17 vjeç kur u lind Dilfiruzja. Nëpër festa, kur familjet mblidheshin bashkë i kishte rastisur ta mbante në krahë vajzën që 18 vite më vonë do të bëhej bashkëshortja e tij. “Dilfiruzja kreu kolegjin e mesëm amerikan “Nëna Mbretëreshë” në Kamëz, një risi e jashtëzakonshme për kohën sepse ishte idem si kolegjet në Perëndim: me mensë, konvikt, profesorë të huaj”, tregon nipi i saj, Besforti, duke qenë kështu një nga të paktat vajza të arsimuara të atyre viteve në Shqipëri dhe fliste katër gjuhë të huaja: italisht, anglisht, serbo-kroatisht dhe arabisht, por kjo nuk ishte çudi për familjen Jella. Xhaxhai i Dilfiruzes, Rexhepi, ishte diplomuar në Kembrixh dhe ishte një nga intelektualët më të njohur shqiptar të viteve ’20-’30. Jellat ishin me origjinë nga Tirana, por rezidencën e kishin në Durrës, aty ku sot kalon rruga “Ramazan Jella“. Ramazan Jella, zotëronte një çiflig 350-400 dynymësh në Maminas dhe merrej me aktivitet bujqësor-blegtoral, ndërkohë që vëllai i tij, Rexhep Jella, i shiti pronat dhe gjysmën e rezidencës së Durrësit dhe u vendos në Tiranë, ndërkohë që zhvillonte aktivitetin e tij politik, si prefekt i disa qarqeve, deputet dhe deri kryetar Bashkie i Tiranës, i dhjeti në histori.

Stuhia

Dilfiruze Jella ishte trashëgimtarja e vetme e pasurisë së babait të saj, por gjatë viteve të diktaturës ajo nuk do të trashëgonte asgjë, veç bodrumit të shtëpisë ku u rritën 7 fëmijët e saj. Jellat u goditën si shumë familje të pasura që zotëronin prona dhe aktivitete. Ramazan Jella, edhe pse nuk ishte marrë kurrë me politikë, u arrestua dhe në maj të vitit 1947, u ekzekutua në dhomat e izolimit të hetuesisë së Durrësit. Vëllai i tij, Rexhepi ishte arrestuar në vitin 1945, pak kohë pasi forcat komuniste morën pushtetin dhe ishte dënuar me dy vite burg, por pak muaj pasi doli nga burgu, u ridënua me 10 vjet burg. Po kështu u godit edhe familja Veli. Ramazan Velin e arrestuan. I sekuestruan pronat, shtëpitë, gjithçka…edhe velieren. Ajo u vu në punë nga shteti me emrin “Kurveleshi”. Ramazan Veli u dënua me burg dhe punë të detyruar, ndërsa Dilfiruzja mbeti e vetme me fëmijët, pa asnjë mbështetje.

“Arrestimi, vuajtja e dënimit dhe më pas lirimi i Ramazan Velit lidhet drejtpërdrejt në kohë me ndërtimin dhe më pas mbylljen e kampit famëkeq të Bedenit, 1948-1950. Ramazan Veli u arrestua me motivacion politik thjesht sepse përfaqësonte elitën qytetare të para luftës (elitë e cila duhej zhdukur sipas ideve komuniste). Arrestimi është kryer gjatë kohës kur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte Koçi Xoxe. Ramazan Veli u arrestua bashkë me shumë qytetarë të tjerë, pjesa më e madhe klerikë katolikë dhe u dërgua në kampin e Bedenit. Sipas fjalëve që qarkullonin ato kohë, arrestimi i tij dhe i pjesës tjetër të njerëzve që u dërguan aty do përfundonte pas mbarimit të punimeve, në dënim me vdekje. Ky lajm për Ramazanin personalisht dhe për familjen e tij qe një tronditje e fortë psikologjike sepse familja akoma kishte plagët e hapura nga eliminimi i vjehrrit të tij, Ramazan Jellës nga regjimi komunist”, tregon nipi i Ramazan Velit për kujto.al.

Vendndodhjen, kushtet dhe punën e rëndë të atij kampi, i përshkruan në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue” edhe kleriku Zef Pllumi, i cili ka qenë një nga të dënuarit e atij kampi. “Puna e parë ishte për t’u zhdukë nji kodrinë e vogel në breg të Shkumbinit, e cila pengonte rrjedhjen e ujnave të ultësinës. Dheu gërmohej me kazma e lopata, transportohej me karroca druni dore: karrocat ishin punue si ato ma primitivet e historisë së njerzimit: me rrotë drunit, peshonte ma shumë karroca sesa dheu që hidhej mbrendë. Policët aty me shkop, sa herë që pengohej trafiku, sillshin mbi shpina njerzish të kthyem në kafshë pune”. Puna e rëndë, ushqimi dhe kushtet e këqija, uria, etja dhe terrori i vazhdueshëm, do të vepronin në fizikun e të dënuarve duke ua rrëgjuar trupat dhe plakur fytyrat në pak muaj siç do të kishin bërë dhjetëra vite të vështira. Dhe shpirtin ndoshta ca më keq. Në familjen e Ramazan Velit, është treguar dhe ka mbetur në kujtesë rrëfimi i Dilfiruzes për herën e vetme kur u lejua të takojë bashkëshortin në kampin e Bedenit, disa muaj pas arrestimit të tij, të cilin e përcjell i nipi, me fjalët e saj. “Po prisja pranë hekurave të kampit me disa ushqime në duar të takoja Ramazanin dhe nuk po arrija ta dalloja sepse të burgosurit ishin shumë dhe të veshur njësoj. Një i burgosur m’u afrua dhe më përshëndeti dhe menjëhere i thashë të më ndihmonte nëse e njihte Ramazan Velin se ku mund ta gjeja, por i burgosuri heshti dhe nuk m’u përgjigj. Mendova për një çast se mos e kishin eliminuar dhe e pyeta me ngulm mos vallë kishte ndodhur ajo gjë! I burgosuri më pa në sy dhe më tha: Foze (shkurtim i Dilfiruze) nuk po më njeh?! Ishte Ramazani”! Ishte një tronditje e fortë për gruan e re ai takim, kur bashkëshorti në më pak sesa një vit ishte plakur si të kishin kaluar 10 apo 15 vite. Megjithatë, qe një bekim mes mjerimit, që Ramazan Veli u lirua pas rreth dy vitesh burg. “Pika e kthesës mbi fatin e jetës së Ramazanit erdhi në momentin që Shqipëria shkëputi marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë çka bëri që ministri i Punëve të Brendshme, Koçi Xoxe të dënohej me vdekje duke u konsideruar agjent jugosllav dhe për pasojë akuzat me motivacion politik për Ramazan Velin dhe të tjerë u “shfrynë” duke sjellë më pas lirimin nga burgu”, tregon Besfort Veli për kujto.al.

Ai doli gjallë nga kampi, por jeta e tij nuk do të kishte të bënte fare me atë të mëparshmen. Pas lirimit nga burgu, Ramazan Veli punoi si ekonomist në ndërmarrjen e peshkimit në Durrës, më pas punëtor në fabrikën Nish-Tulla Durrës dhe në fund punëtor në Kooperativën e Artizanatit, ndërkohë që jetonte me fëmijët në bodrumin e shtëpisë së dikurshme të bashkëshortes.”Ai pati 7 fëmijë: Syzana, Lule, Vjollca, Shpresa, Bajram, Muhamedali dhe Gjyzele. Syzana, Lule dhe Vjollca duke qenë nxënëse të shkelqyera iu mundësua të përfundonin studimet për Mësuesi, cikël i ulët dhe shërbyen disa vite në fshatrat e Durrësit (Ishëm) si mësuese filloreje dhe 8-vjeçareje për gjuhë-letërsi. 4 fëmijëve të tjerë iu refuzuan studimet”, tregon Besforti, i biri i Bajramit. Vetëm pas ndryshimit të regjimeve në Shqipëri, një prej djemve të Ramazan Velit, Muhamedaliu, edhe pse 35-vjeç, vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Vatikanit për Filozofi të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, çfarë tregon për potencialin e anëtarëve të kësaj familjeje, së cilës iu privua çdo mundësi gjatë diktaturës.

Ndryshimin e kohëve, çfarë mund të sillte një rigjallërim shpirtëror, Ramazan Veli nuk arriti ta jetonte. Ai ndërroi jetë në vitin 1988 dhe sot prehet në Durrës. Ndërsa bashkëshortja  ndërroi jetë në Itali, 17 vjet më vonë, ku edhe u varros sipas amanetit të saj që ta varrosnin aty ku do të mbyllte sytë, “sepse dheu është kudo i Perëndisë”.

Siç është edhe deti që i ndan. Deti i kohëve të bukura të jetës së tyre. Deti ku lundronte anija “Vllazën Veli”. Deti ku shihnin dritaret e vilës dykatëshe verore të familjes./kujto.al

ObserverKult

LEXO EDHE:

Dëshmia e atij që tentoi ta vriste Enver Hoxhën: Ja pse duhej bërë kjo gjë…