Edhe pse ishin të shumtë ata që u lutën për shërimin e tij, aktori Guljelm Radoja u nda dje nga jeta.
Fatkeqësisht, Covid-19 i ka marrë jetën një tjetër artisti, duke na e lënë kështu një tjetër vend të zbrazët në panteonin e vlerave shqiptare.
Pas një qëndrimi të gjatë në Spitalin e Durrësit, në reanimim në gjendje të rëndë, aktori u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm, në moshën 75-vjeçare. 30 orët e fundit të jetës i kaloi në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, ka qenë i pamundur përmirësimi i tij. Sapo lajmi për gjendjen e tij të rëndë u përhap përmes rrjeteve sociale, komuniteti artistik i bëri apel qeverisë që ta dërgonin jashtë shtetit për një kurim më të specializuar, por gjendja e tij e rënduar nuk ia lejonte udhëtimin.
Sipas mjekëve që e ndoqën rastin e tij, Radoja nuk vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese, por pas infektimit nga Covid-19, pësoi një insuficentë multiorganore. Virusi shkaktoi daljen jashtë funksionimit normal të të gjitha organeve jetësore të tij, çka çoi dhe në fundin fatal, në vdekje, shkruan ‘panorama.com.al’.
Lajmi i vdekjes së tij është konfirmuar nga djali i tij, pianisti Redi Radoja: “Pushofsh në paqe, bab! Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Radoja iu bashkua artistëve që u ndanë nga jeta nga ky virus i pabesë, si piktori Arben Bajo; regjisori e skenaristi, Koço Devole; regjisori Muharrem Fejzo; kompozitori Agim Krajka apo kantautori Kujtim Prodani.