reklamë

Moment historik për Anglinë/ Kurorëzohet kryepeshkopja e parë

Sarah Mullally bëri histori dje, (25 mars), kur u emërua Kryepeshkope e Canterbury, duke u bërë zyrtarisht gruaja e parë që mori përsipër udhëheqjen e Komunionit Anglikan, bashkimit global të kishave anglikane që numëron rreth 85 milionë besimtarë në të gjithë botën.

Ish-infermierja dhe mamia 63-vjeçare mori zyrtarisht detyrat e saj në një ceremoni me simbolikë të fortë në Katedralen historike të Canterbury-t, në Anglinë juglindore, në prani të rreth 2,000 të ftuarve, përfshirë trashëgimtarin e fronit britanik, Princin William dhe gruan e tij, Kate.

Sipas traditës shekullore, ceremonia filloi me Malalin që trokiti tre herë me shkopin e bariut në portën perëndimore të tempullit, duke kërkuar simbolikisht hyrjen.

E veshur me rroba të verdha të arta, ajo u prit nga nxënës të shkollave lokale, të cilët e pyetën pse ishte dërguar në këtë pozicion.

“Jam dërguar si kryepeshkope për t’ju shërbyer, për të shpallur dashurinë e Krishtit dhe bashkë me ju për ta adhuruar dhe dashur atë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë”, u përgjigj ajo.

Ceremonia kulmoi me kurorëzimin e saj në dy frone të ndryshme, të cilat simbolizojnë rolin e dyfishtë të Kryepeshkopit të Canterbury-t: nga njëra anë si peshkop i dioqezës homonime dhe nga ana tjetër si udhëheqës shpirtëror i Kishës Anglikane universale.

Mullally merr postin e rëndësishëm në një kohë sfidash të mëdha për Kishën e Anglisë, pas dorëheqjes së paraardhësit të saj Justin Welby në nëntor 2024.

Welby dha dorëheqjen pas publikimit të një raporti mbi mbulimin e abuzimit nga Kisha e Anglisë në vitet 1970 dhe u zbulua se nuk i kishte informuar autoritetet kur akuzat ranë në vëmendjen e tij në vitin 2013.

ObserverKult