Nga Kristo Mërtiri
Po mbushen 9 vjet që dëshira dhe pasioni gati urrejtes ndaj një studiuesi jo dosido në fushën e Etnomuzikologjisë.
Ndaj një përmetari të mirë me themele atdhetarie e kulturore familjare, herë pas here nga lëndinat mediatike dëgjohet befas si një fyell, xhura, cylë a zile dyjare me zë të cjerrë.
Zë që po i kapërcen kufijtë e etikës dhe bën zhurmë përtej istikamit shkencor e profesional, duke mos e zënë gjumi përgjërues për polifoninë.
Hiqen si kontestues “patriotë” e “opozitarë” jo inatçorë të pathyeshëm, por edhe si pagëzues primitivë fuqiplotë, me akuza marramendëse deri për “tjetërsim të identitetit kombëtar” apo “antishqiptar” etj.
Intelektualët e vërtetë buzëqeshin hidhur përballë kërcitjes së dhëmbëve e dhëmballëve në publik dhe i shmangen sherrnajës e paragjykimeve vulgare.
Deri pak ditë më parë, të jem i sinqertë, unë kam anuar nga “mendimi ndryshe”(pa qenë dakort aspak me fyerjen a shpifjen).
Mirëpo, të arrish të futësh në valle e të marrësh si vjedhurazi e osh pas kaq vitesh edhe firmat e mjaft figurave të njohura në emër të Shoqatës “Labëria”, më erdhi fare pranë thirrja e ndërgjegjes qytetare e profesionale: Tani, boll heshte !…
Kur Nisma “Thurje” doli në mes të ditës me një grup djemsh të xhelosur me brilantinë e të “shkolluar” me diploma plastelinë dhe na bënë thirrje live në TV nga rrethrrotullimi i Pazarit të Ri në Kryeqytet(dhe ku ?
Atje ku e vranë pas shpine të pabesët !) për të shkulur bustin e thjeshtë të Avni Rustemit (Hero i Popullit, “Nderi i Kombit” e Dekorata e lartë e Flamurit Kombëtar!), u ula në tavolinë dhe përgatita një shkrim a reagim të detyruar.
E theksoj, pa më detyruar, urdhëruar e porositur dikush, e pa më shpërblyer askush me qindarka, euro e dollarë.
Por zëri im (shkrimi i botuar) më shëmbëlleu si me një ulërimë përmes një shkretëtire morale e pse jo atdhetare. Askush nuk pipëtiu publikisht gjer më sot(?!).
Fjala vjen, Shoqata “Labëria” dhe degët e saj në Tiranë, Vlorë e gjetkë, çuditërisht pëlqyen heshtjen e më e pakta menefregizmin njerëzor të pakuptueshëm.
Vërtet nuk më erdhi hiç mirë dhe as i rashë shkurt “lava shpirtin tim”! E vetmja që ngriti zërin ishte Shoqata që po mban lart emrin e Heroit të dashur për çdo shqiptar të vërtetë. Pikëpyetjet m’u shtuan e gjalluan për atë bashkim vullnetar të një krahine emërmadhe (Labëria), për të cilën kam mbi 45 vite që nuk pushoj së shkruari me dashuri e pasion të veçantë.
Dhe një ditë papritur e pakujtuar del e organizon një “simpozium” fantazmë për…Isopolifoninë ! Po kush ua kyçi gojën për Avninë?!
Dhe u bë një regjistër a listë e gjatë emrash rrokopujë për ta përdorur përfundimisht si disa krehëra fishekësh kallashnikovi nga “97-ta zezonë.
Për mua dhe për mjaft lexues brenda e jashtë Shqipërisë, ata “nismëtarë” janë ca guralecë të pagdhendur nga dalta e ndershmërisë (mbase jo e djallëzisë), që me hobetë llastiqe të vjetëruara duan të “groposin” një Akademik të pamykur në moshën e profesionin e Etnomuzikologut.
Sa për listën “superfletërrufe e monizmit”, nuk dua të besoj ende se janë katandisur “si gurë në hobe” apo rëndom si hedhës të një guri “nismëtar” në lumë.
Gati tërë emrat e nderuar të vendosur tinëzisht nëpër “bedenat” e kalasë së Polifonisë, unë i njoh nga afër dhe prej tyre kam edhe miq të mirë në vite.
Mirëpo, dy-tre nismëtarët fërkuan duart e barkun, vajisën grykën e “topit” mediatik dhe na dhanë “mandatën” e shkruar në 11 Prill qysh në titull: “Grahmat e fundit të “akademikut” Vasil S. Tole”?!
Pra, prapavija (jo “nekrologjia”) e betonuar me emra të manipuluar e të marinuar, sipas tyre, shërbeu për të shkrehur këmbëza pushkësh alla haxhiqamiljane mbi studiuesin e palodhur e të talentuar. Intrigës 9 vjecare iu hoq kallaji!
Të pangrënët e të pagjumët për Isopolifoninë ranë rehat dhe përtypen e kthejnë ndonjë gotë teke a dopio prapa shkrimeve e prapa ndonjë emisioni televiziv prestigjioz e aspak tuberkuloz…
Kur nisa udhën e gjatë të gazetarit profesionist në Përmetin tim shumë të dashur, Vaso Tole ishte 12-13 vjeç.
Babai- Sofo, një jetë të tërë në frontin e Arsimit e të Kulturës, i vlerësuar e nderuar në disa breza e me kontribut të veçantë në atë trevë të bekuar.
Vasua ynë nuk është aspak nga ata tipa që mbajnë sëpatën nën gunë! Personalisht, e kam ndjekur hap pas hapi në ngjitjen e ngritjen e tij studimore me një barrë libra të respektuar në fushën e Etnomuzikologjisë shqiptare.
Dhe nuk mori kurrë mundimin si gjuetar inatçi, e të dilte brigjeve me kallam e grepa në duar apo, qoftë larg, me “dinamit” për të shkatërruar 2-3 kundërshtërët e pamposhtur që nuk ngjajnë me Don Kishotin (megjithëse dikur ka qenë nga peshkatarët seriozë, të zot e hiç abuzues me Vjosën tonë).
Sikur komunikonte bukur e me nota muzikore ekskluzive me gjithë gjallësirat e atij lumi të moçëm. Veteranët e këtij sporti më kanë rrëfyer jo pak, bashkë me Laver Bariun…
Por sot po kujtoj edhe fundprillin e 31 viteve më parë: Në veprimtarinë muziko-letrare “Këngë në shtrëngatë”, në fillimet e Pluralizmit rrumpallë, u ngrit e foli publikisht edhe kompozitori i shquar Tonin Harapi.
Askush nuk ia kundërshtoi mendimet për Këngët Partizane, si trashëgimi shpirtërore e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare.
Veçse ato këngë, i paska vlerësuar e çmuar edhe Ernest Koliqi, madje “disa prej të cilave na rezultojnë t’jenë të përshtatshme si himne kombëtare” (vallë, edhe këto do anatemoni një ditë prej ditësh?).
Sinqerisht, po të isha në vend të ministres së Arsimit, do këmbëngulja që libra të tillë si i Vasos, të hynin pa vonesë nëpër programet mësimore evropiane e perëndimore në shkollat e cikleve të ulëta e të larta.
Aq më tepër që smira e zilia po ziejnë në një kazan !…
Të kuptohemi mirë, labçe kam kënduar e këndoj edhe unë, bashkë me Dritëronë në zemër të Tepelenës; me Xhevahirin, me Lefter Çipën, Nazif Çelën, Tomorin (nipin e Zigur Lelos që luftoi “me një mbret 40 milionë”), me Bujar Leskaj, Agim Jazaj etj.
Sidomos atë legjendaren “Dil Pasha, se kam pak punë, dil Pasha!…”. Por as kam dashur e as dua të bëj specialistin, hetuesin, prokurorin e gjyqtarin, sidomos në një auditor ku duhet të flasin Etnomuzikologët e mirëfilltë.
E theksoj këtë, sepse po shohim e dëgjojmë gjithollogë me bollëk nëpër ekrane e gazeta; ish ushtarakë, historianë e filozofë të konvertuar brenda natës në gazetarë.
Por të shpërdorosh tmerrësisht reputacionin e secilit në lista superfletërrufesh si “argument” shterues, nuk është thjesht pabesi, aguridhllëk e as djallëzi foshnjore.
Dy-tre lakmitarë keqdashës “që ngjallen kur shohin dikë më mirë se veten” dhe tërë jetën e tyre janë përpjekur “t’i venë zile edhe miut”, duke u tundur e shkundur me dekorata kallpe deri te ajo “Nderi i Kombit”(O Zot, i përfytyroni dot këta megalomanë myteberë përkrah 3 Vëllezërve “Frashëri”, Rexhep Qoses, Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Ramadan Sokolit, Kadri Roshit etj.?!).
Në Dosjen për Isopolifoninë,, nuk gjendet asgjëkundi ajo shprehja e shpifur “që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine”.
Sepse gjithologët tashmë fryhen e çfryhen si gjela të rinj a të plakur, si namusqarë shqiptarie me kokrra e dokrra “atdhetarie”.
Apo gjetkë daullja e gjetkë dasma ?!…Ndërsa unë, teksa shfletoj me adhurim disa nga librat e Akademikut përmetar, shikoj edhe firmat e komentet vlerësuese e miratuese të muzikologëve të vdekur e të gjallë dhe asnjë përtej lëndinës së profesionalizmit. Seriozitet e skrupulozitet i vërtetë shkencor, larg cic-miceve meskine primitive.
Ndodh kjo në një kohë kur “pas viteve ’90 të shekullit XX, botime të tilla muzikore pothuajse u harruan”(!).
Pra, lërini mënjanë dënglat e ndryshkura personale, fetare e krahinore! Nga gjithë ai grup specialistësh që përgatitën dosjen për në UNESCO(një fitore jo e vogël e Trashëgimisë sonë Kulturore), përse nuk përmendet asnjë tjetër me emër e mbiemër?
Ose përse nuk u ftua asnjë në atë “simpoziumin” e shoqatës “Labëria” dhe pse u dëgjua vetëm një “këmbanë”?
Siç ka thënë i mençuri: Asgjë nuk mbrohet me kaq zjarr sesa idetë që nuk besohen ! Përshembull, unë besoj më tepër etnomuzikologen e re me rrënjë Labërie, të talentuarën e papërsëritshme Blerina Shalari; por edhe studiuesin kokëplot e modest Ardian Vehbiu; Fatmir Hysi, Timo Mërkuri e mikun tim të vjetër Sejmen Gjokoli etj.
Pa përmendur këtu të paharruarit e mëdhenj Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli etj. me vlera evropiane e perëndimore.
Në një fletë blloku të gazetarit, ruaj edhe një fjali domethënëse të përmetarëve për Vason:”Ai djalë nxjerr mjaltë edhe nga guri !”…
Kam heshtur jo pak, por 9 vite. Qesha e u talla edhe me guralecët e vërvitur mbi Akademikun.
Dhe nuk e kam fjalën thjesht për gurë të gdhendur e të pagdhendur, të thepisur a të çmuar në unaza, qafë e ora dore dhe as gur mulliri mokër ose për ata në veshka, tëmth e mëlçi.
Mirëpo urtësia e lashtë na dëften se “pika shpon gurin”! Mos u sëkëlldisni. Fjala është për ndonjë gur lojërash mediatike, për gur shahu, dominoje, guralecë zalli dhe jo për ata që i gënjen mendja se po e bëjnë ujem opinionin.
Dhe përdorin etiketime qesimce, si “patriotë” të përgjëruar. Apo përpëliten e sfiliten t’i shëmbëllejnë atij “Guri filozofik” të mesjetës që e kërkonin me qiri të bënte çudira, “t’i kthente metalet në ar, të shëronte çdo sëmundje, të zgjaste jetën e njeriut e t’i bënte pleqtë përsëri të rinj”?!
Dje, një penëhollë më tha: “Mos e vuaj kështu këtë mesele, miku im! Ata kalanderë janë nga ai sua që e shkrepin maliherin në tym që në sup, pa marrë shenjë fare”…
Tani që po mbyllja këto shënime reflektim, Vaso Tole sapo është kthyer nga Prishtina për disa promovime dinjitoze.
Në mbrëmjen e vonët po punonte me ngulm për të dalë faqebardhë nga Opera Solemne, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (Kryezot i Arbërit), si kompozitor e libretist mbi tekstin e Fan Nolit.
Do marrë pjesë edhe Kori i Filarmonisë së Kosovës, bashkë me artistët e mrekullueshëm të TOB.
Lëreni të punojë e të na gëzojë me krijime të reja. Apo t’i mbajmë sytë dhe veshët ngritur te “Shqipëria Big Brother” dhe tek ziliqarë e smirëzinj që nuk guxon dot t’u tregosh as ëndrrën që ke parë?!…
Shkurt, këtë botë të krokolepsur, nuk e ndreqim dot vetëm as ti e as unë.
Se nuk thosh kot gjyshi im ish-tregtar i vogël në Tepelenë: Korbin edhe me ujë luleshqerre ta lash, nuk e bën dot të bardhë!…/gazetatema.net
ObserverKult
Lexo edhe:
LETRA E RAMIZ ALISË: ROMANI I PETRO MARKOS TË NDALOHET DHE TË BËHET KARTON E ASNJË KOPJE TË MOS QARKULLOJË
Nga: Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë të cilat i përkasin viteve 1972 – ’73.
Aty ndodhet një korespodencë midis Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me romanin “Një emër në katër rrugë”, të shkrimtarit Petro Marko, (ku trajtohej figura e Enver Hoxhës).
Ky libër u botua pas recensionit të kritikut Dalan Shapllo dhe miratimit të Drejtorit të Shtëpisë, Ali Abdihoxha dhe redaktorit Llazar Siliqi.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult