Mos u mërzit Ermonela Jaho, nuk është hera e parë që Shqipëria “plagos” më të mirët e vet

Nëse talenti, e bukura e mirësjellëshmja do të ishin masive, do të shndërroheshin në vulg, në vulgarë, ndaj, Masterclass-i bosh i Ermonela Jahos në Tiranë nuk ka pse të mërzisë as atë, as këdo që e adhuron. Një Maestro do të ishte i vlefshëm edhe për një nxënës të vetëm, nëse nxënësi nxë.

Nga: Alba Malltezi

U trishtua e jashtëzakonshmja jonë, sopranoja Ermonela Jaho dhe shumë të tjerë bashkë me të. Nuk është hera e parë që Shqipëria “plagos” më të mirët e vet.

Dhe siç ndodh, kur mërzitemi shohim përreth se kush e ka fajin. Në masterklasin e saj në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit mesa duket kishte fare pak pjesëmarrës.

Dikush nis të bëjë menjëherë llogaritë dhe fajin ja vë çmimit (më i lirë se një drekë në një restorant në Tiranë, se një trajtim në qendrat estetike, se një ndërhyrje botox, se një tatuazh vetullash, qepje në rrobaqepësi etj. etj). Ndërsa dikush tjetër mallkon popullin shqiptar se nuk qenka i denjë për Art e për asgjë.

Madje edhe Big Brother e ka fajin për këtë.

Ndërkohë harrojmë se talenti, e bukura, e magjishmja, kanë qenë e do të mbeten fenomene të rralla kudo, edhe në Italinë e Michelangelos, ku të rinjtë shtyhen e grumbullohen për të bërë selfie me një influencer që vetëm ndërron përditë rrobat, apo në Francën e Edith Piaf, ku nuk e kanë për gjë të hedhin qesen me letra e plastikën e panines mu në këmbët e Tour Eiffel.

E bukura, talenti, e sjellëshmja, janë dukuri të rralla, ekskluzive, që po të ishin masive do të bëheshin vulg, vulgarë.

Prandaj, nuk ka pse të mërzitet me askënd as Ermonela Jaho, askush tjetër që atë e vlerëson.

Leksioni i saj i ka mjaftuar qoftë edhe një nxënëseje të vetme fare, të cilën e ka prekur në diafragmë, i ka përçuar ritmin e frymëmarrjes, apo magjinë dhe emocionin e interpretimit, edhe pa folur fare, ashtu si një talent di të bëjë.

Në fund të fundit ka të drejtë edhe maestroja i sinqertë dhe i vrazhdë, tenori ynë gjithashtu i suksesshëm Josif Gjipali.

Atij muzikën ja kanë mësuar më të mëdhenjtë botërorë të skenës operistike, pasi një Maestro mund të të japë, por është “ena” e nxënësit e rëndësishme, nëse dëshiron të nxë.

Edhe sikur salla e masterclassit të Ermonela Jahos të ishte mbushur plot e stërplot, nuk e dimë se sa “enë” të gatshme për t’u mbushur me elizirin e magjisë operistike ishin me kapak të hapur.

Një talent mjafton të ekzistojë, do të jenë dishepujt ata që do ta përthithin dot apo jo. Ndryshe do të mjaftonin masterclasset për të bërë qindra, mijëra Ermonela Jaho, apo Maria Callas më parë.

Gian Giacomo Caprotti ishte nxënësi më i dashur dhe i privilegjuar i Leonardo Da Vinçit, por ai nuk u bë asnjëherë një Leonardo.

Janë të tepërta shpërthimet e artistëve, mes artistëve dhe për artistët. Politikanët na dalin dhe na teprojnë./shqiptarja.com

*Titulli i origjinalit: “Për Ermonelën dhe për ekskluzivitetin e të bukurës dhe talentit”

ObserverKult


Lexo edhe:

DISA SHQIPTARË NUK E VLERËSOJNË, POR ERMONELA JAHO U SHPALL “ARTISTJA E VITIT” NGA ICMA

Sopranoja shqiptare, me famë botërore, Ermonela Jaho së fundmi është shpallur “Artiste e Vitit”, nga International Classical Music Awards, për 2023.

Këtë e ka bërë me dije përmes rrjeteve sociale, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.

Ajo ka falënderuar sopranen për pjesëmarrjen e saj në masterclassin e organizuar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Nder dhe kënaqësi të të kishim në mesin tonë e të shkëmbenim ide mbi funksionimin më të mirë të teatrit tonë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult