Motmot e gjysëm viti, u deshëm njeri s’na diti…

Foto ilustrim

Nga: Çapajev Gjokutaj

Motmot e gjysëm viti, u deshëm njeri s’na diti, ia mori Lilua nën zë. Si e pa që asnjeri s’po e shoqëronte, e ktheu në muhabet.

Dashuri e gjatë dhe e fshehtë, tha. Ka lezet, fshehtësia sikur e bën më të bukur, e mbush me mister e me magji.

Fshehur bëhen vetëm gjëra të turpshme e të ndaluara, ia priti Naqja. Bëhen vjedhje… Dashuria do hapësirë, ndryshe rrezikon perversitetin. Në zgëqe nuk mbijnë lule e bar, myk mbin.
Mbase s’do thjeshtuar kaq shumë, thashë unë, kanë lezetin e vet dhe pengesat, dhe fshehtësia.

Ashtu është, më doli krah Qaniu, dashuria është si uji, mungesa e bën më të çmuar e më të lakmueshëm.

Pengesat e mungesat, vetëm grykësi e babëzi sjellin, këmbënguli Naqja. Ju kujtohet? Në të ritë tonë na drithëronin edhe një palë gjunj, që zbuloheshin poshtë fustanit.
Jo po si sot, del tjetra gjysëm lakuriq dhe takfak e në krevat, prishi buzët Lilua.

Më mirë takfak e në krevat se sa takfak e në gjendjen civile, ndërhyri Ilmiu, martesa derr në thes, pa njohur mirë njëri-tjetrin, pa parë sa dhe si funksiononte marrëdhënia.
Fillozofë e shkuar fillozofëve jeni, shpotiti kamarjerja, po tundni qindarkat, se u presin xhikot në shtëpi.


(Nga cikli ‘Kafe për llafe’)

ObserverKult

Çepajev Gjokutaj
Çapajev Gjokutaj

Lexo edhe:

ÇAPAJEV GJOKUTAJ: DASHURIA KA NEVOJË EDHE PËR FSHEHTËSI…

Mos u bëj Don Kishot, dashuria që këndon Lasgushi ishte e vjetëruar edhe në vitet e rinisë sonë, le më sot. Vargjet që citon ti: ‘një dashuri plot fshehtësi/ m’e fshehur se fshehtësia’, Lasgushi i ka shkruar si vazhdim të vargjeve: ‘se s’dashuronim as un’ as ti,/ po dashuronte dashuria’. Medemek një dashuri që dominon gjithçka, që s’pranon arsyetim e logjikë, një dashuri aq e fortë dhe e pashpjegueshme, sa që kalon në kufijtë e iracionales.
Kështu më shkruan një mik i hershëm dhe vazhdon: brezat që erdhën pas nesh kanë meritën e madhe se e bënë dashurinë më njerëzore, më të aplikueshme…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU