Nga Ndue Dedaj
Artistët lënë shenjën e tyre në gur e në mur. Artist ka qenë ai që ka pikturuar piktogramet e Rubikut në lashtësi, ai që ka pikturuar afresket e kishës së Shëlbuemit po aty, ai që ka shkroluar me petroglife Gurin enigmatik të Xhuxhës, ai që ka gdhendur shqiponjën njëkrenore të Arbërit të Gëziqit (Ndërfandës) më mesjetë. Por dhe sa e sa të tjera objekte si këto, në një hapësirë relativisht të vogël gjeografike si Mirdita. Apo qoftë dhe deri në Pllanë, ku kemi të tjera piktura murale në kishën e njohur të Shna Premtes. Të gjithë ata pikturues mbetën anonimë, por jo veprat e tyre që iu përcollën njerëzimit si një pasuri tejet e çmuar.
Koha moderne i nxori piktorët nga anonimati dhe i futi në studio, galeri arti e ekspozita. Elbasani, Korça, Shkodra etj. do të kishin herët piktorët e vet, kurse në vitet ’60-’70 filluan të kishin piktorët e tyre edhe qytetet e vogla të vendit. Ishte kënaqësi, habi dhe diçka vërtet intriguese ta shihje piktorin e ri Lin Loci të pikturonte në qytetin e vogël të Rrëshenit. Peizazhe, portrete, natyra të qeta. Deri te mozaiku “Valltaret mirditore”, një pikturë vezulluese e rrallë, që sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë shkëlqim do të marrë. Mozaiku, sipas një artisti italian të shekullit të pesëmbëdhjetë është “piktura e vërtetë që jeton në përjetësi”. Dysheme dhe mure të stolisura me gurëth zalli disa milimetërsh, apo më vonë copëra xhami etj.
“Valltaret mirditore” është i vetmi mozaik i Rrëshenit, këtij qyteti 75-vjeçar, i një moshe me autorin e tij, piktorin e njohur Lin Loci, diplomuar më 1972 në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Një piktor i peizazhit, por dhe i pikturës dekorative, ku përfshihet dhe kjo pikturë murale, nga më përfaqësueset e artit të tij, qendisur prej gurthish të vegjël si një antarí nuseje me filigran.
Gjovalin Loci, për shkurt Lin, përpos skenograf i Pallatit të Kulturës, ka qenë njëherësh dhe etnograf i pasionuar, që ka qëmtuar veshjet e vjetra karakteristike të Mirditës për disa festivale të Gjirokastrës, për rreth tridhjetë vjet. Hijeshinë e kësaj veshjeje, nga më të bukurat në botën shqiptare, e pasqyron dhe mozaiku tepër i veçantë i tij, i vendosur në hyrje të godinës 7 – katshe me arkitekturë moderne, mbështetur në stilin e kullës së trevës, ndërtuar për hotel – turizëm më 1989, por që nuk u përdor si i tillë. Godina sot shërben si seli e Ipeshkvisë (Dioqezës) së Rrëshenit.
Në brendësi të godinës, në katin e parë, janë dhe disa mozaikë të tjerë me motive kristiane, realizuar me mjeshtri, të po këtij autori, i cili pikturën e mozaikut e pati ushtruar për disa vite dhe në emigracion, në kishat e Greqisë dhe të Italisë, në Kretë e Bolonje. Onufri, piktori i parë mesjetar shqiptar, përmendet se pati futur elemente etnografike në pikturën e tij, ashtu dhe Lin Loci, në gjurmë të meshtrit të shquar të ikonografisë shqiptare, e ndërton Mozaikun e Valltareve mbështetur në etnografinë e veshjes mirditore që e njihte aq mirë.
Një mozaik që “vallëzon”. Tri gra mirditore dorë për dore që kërcejnë vendçe si në dasmat e krahinës. Ashtu si engjëjt në afreskat e kishave.
Ne e shijojmë këtë vepër njëlloj si mozaikët e Butrintit, Durrësit e të tjerë, edhe pse ky është krejt i ri. Por me kohën do të vjetërohet dhe ai dhe në një të ardhme mbase do të përmendet në enumeracion me “Afresket” dhe “Piktogramet e Rubikut”, “Gurin e Xhuxhës” etj. Por të lëmë atë kohë, pasi ajo i bashkërendit vetë vlerat e ngjashme të epokave të ndryshme, sot kemi detyrimin ta njohim këtë vepër të shquar unike dhe t’ua rekomandojmë turistëve dhe jo vetëm.
Piktori Lin Loci, mësuesi dhe miku ynë, nuk rroi gjatë, shkoi në amshim në marsin e vitit 2001 krejt papritur, në moshën 53-vjeçare. Këto pak radhë, për njërën nga veprat e tij, lë të jenë njëherësh dhe një kujtesë për artistin dhe familjen e tij të nderuar në Rrëshen, më së shumti e përbërë prej mësuesish; babai i tij Ndue Loci ishte mësues dhe librári i parë i qytetit, Lini shërbeu vetë si mësues i vizatimit teknik në gjimnazin e qytetit, mësues dhe i vëllai Marku, dhe e shoqja Tonja, dhe e bija Aida, ashtu siç familjarët e tij shërbyen dhe në profesione të tjera.
Një javë para se të ndërronte jetë, e kishim lënë me piktorin të venim në vendlindjen e tij në Trangë (Lufaj) të Selitës, një nga vendet më piktoreske të Veriut, por nuk kishte qenë e thënë. Kam shkuar, vitet e fundit, te kulla e tij e skalitur në gur, një monument i vërtetë kulture, me kujtimin e tij. Nuk kishte si të lindeshe në atë lartësi, të rriteshe me erën e luleve e flladin e Urakës e të mos ishe artist…
ObserverKult
Lexo edhe: