Mozaiku i Tiranës, “konturohet” vila romake

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti inspektoi sot gërmimet e reja tek mozaiku i Tiranës.

“Të gjithë e njohim si mozaiku i Tiranës, por ai është shumë më shumë se aq. Gërmimet e reja jo vetëm po konturojnë më qartë vilën romake dhe të gjitha hapësirat e saj. Por shtyn deri në fund të shekullin e I-rë datimin e banimit të asaj hapësire”, u shpreh ministrja Margariti.

“Me Olsin dhe Maringlenin (Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë) ishim sot në territorin ku po gërmojnë bashkë me specialistët edhe studentët e Fakultetit Histori-Filologji, UT. Të cilët kanë fatin jo vetëm të specializohen dhe të pajisen me certifikata, por edhe të marrin pjesë një proces me rëndësi për historinë e qytetit”, theksoi ministrja, transmeton ATSH.

“Presim që me përfundimin e gërmimeve dhe dokumentimin e procesit dhe të objekteve, të dalin rezultate mbresëlënëse”, tha ministrja Margariti. 

Mozaiku i Tiranës

Mozaiku i Tiranës është një pikë shumë e rëndësishme referimi në Shqipëri. Dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. 

Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash. Të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.

Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale.

Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit). Edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme, shkruan ‘tirana.al’.

Arkitektura e kishës është e thjeshtë

Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh. Të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në mozaiku i Tiranës në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës. 

Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh.

LEXO EDHE: Zbulohen ambiente banimi te Mozaiku i Tiranës