Mozaiku me portretin e heroit kombëtar, Agim Ramadani, i realizuar nga artisti Besart Gashi, zyrtarisht është pjesë e librit të rekordeve – “Guinness”. Në një sipërfaqe prej më shumë se 26 metrash katrorë, prej tash zyrtarisht është mozaiku më i madh në botë i llojit të vet. Në certifikatën e “Guinness World Records” shkruan se “mozaiku më i madh me kapëse teli është në madhësi prej 26.7 metrash katrorë dhe është arritur nga Besart Gashi (Kosovë), në Gjilan, Kosovë, më 22 gusht 2020”.
Deri tash ka qenë një tjetër artist shqiptar që mbante rekordin botëror për një vepër të këtij lloji. Bëhet fjalë për Saimir Stratin, i cili më 2017 realizoi mozaikun e Nënë Terezës, në sipërfaqe prej 10 metrash katrorë, derisa kishte përdorur 1.5 milionë kapëse teli. Prej atëherë vepra gjendet në Muzeun Kombëtar të Kosovës, transmeton ‘Koha’.
E për rekordin e ri të Gashit, “Guinness World Records” ka njoftuar edhe nëpërmjet faqes zyrtare.
“Në mozaik është Agim Ramadani, një ish-poet dhe artist i mirënjohur. Besart Gashi e krijoi mozaikun duke përdorur kapëse teli me dy ngjyra të ndryshme, duke përdorur 4 ‘armë’ pneumatike. Në mozaik janë përdorur rreth 2 milionë e 275 mijë kapëse teli dhe për ta përfunduar i janë dashur afër 400 orë dhe 50 ditë”, thuhet në konfirmimin e këtij rekordi.
Gashi, që kishte thënë më herët se ka përdorur mbi 3 milionë kapëse teli, ka sqaruar se cilat janë numëruar nga “Guinnessi”.
“3 milionë e 138 mijë e 305 kapëse teli janë zbrazur gjatë krijimit të veprës, kurse në mozaik janë 2 milionë e 275 mijë kapëse”, ka thënë Gashi.
Ai s’e ka fshehur entuziazmin e tij për këtë arritje, e cila thotë se e ka bërë shumë krenar.
“Komandant u kry! Jam i lumtur dhe krenar që me portretin e Heroit të Kombit thyem rekord botëror dhe figura jote u regjistrua në librin e Guinnessit ‘Guinness World Record’. Kjo histori nuk përsëritet më, sepse askush nuk mund të krahasohet me Agim Ramadanin-Katana”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Derisa në një prononcim për ‘Kohën’ ai ka thënë se do të vazhdojë të punojë për vlerat kombëtare.