“Mrika”, opera e parë shqiptare dhe historia e shkopit të artë

Opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit të shquar shqiptar Prenk Jakova (1917–1969) me libret të shkrimtarit Llazar Siliqi, u shfaq më 1 dhjetor të vitit 1958 në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Opera u vë në skene nga regjisori Andrea Skanjeti. Këtë vepër që ishte një proces krejtësisht i ri, në të gjithë veprimtarinë e tij krijuese, Prenk Jakova e pasuroi me këngë, valle, pjesë korale, arie, duke e bërë atë një operë kombëtare.

Puna për operën filloi në vitin 1956. Me një punë këmbëngulëse e vullnet të fortë, Prenk Jakova fillon të hedhë në partiturë notat e muzikës që kishte në imagjinatën e vet. Të gjitha punimet mbasi i kalonte në piano, çdo pasdreke deri natën vonë, i konsideronte të përfunduara. Kompozitori ishte shumë i vendosur dhe këmbëngulës për ta çuar punën deri në fund, ashtu siç e kishte programuar ai vetë. Në maj të vitit 1958, filloi puna për vënien në skenë të operës “Mrika.

Provat bëheshin herë në shtëpinë e kulturës (më vonë, filarmonia e qytetit) herë në teatrin “Migjeni”, teksa më 27 nëntor bëhet prova gjenerale. Ndërsa, më 1 dhjetor 1958, u dha shfaqja e operës që pati një sukses të madh. Drama muzikore u vu me sukses të plotë nga trupa e Shkodrës. Suksesi ishte jo vetëm për kompozitorin, por edhe për libretistin Llazar Siliqi, regjisorin Andrea Skanjeti, këngëtarët, korin, valltarët dhe orkestrën.

Kur Prenk Jakova zuri vend në podin e vet të dirigjimit, para orkestrës, i veshur me një kostum jeshil i errtë, me një paraqitje elegante. Pesë minuta para se të fillonte flautisti i parë Tish Hila, që ishte njëkohësisht edhe argjendar, i dhuron Prenkës një shkop të artë si dhuratë nga orkestra, me të cilin do të dirigjonte Prenk Jakova operën atë natë.

Ngjarjet e operës “Mrika” zhvillohen në vitet 50-të dhe në to, përshkruhet jeta e një vajzë mirditore dhe e familjes së saj. Aria e Mrikës, “dielli ka perendue”, ka një ton lirik dhe shumë tërheqës, po ashtu edhe aria e aktit të dytë “Oh! Ç’janë këto trazime” është po aq e bukur, tërheqëse dhe me shumë elemente lirike dhe dramatike, ashtu si e gjithë muzika që kompozitori ia ka përshtatur vendit të ngjarjes, dialektit të të folurit, veshjes dhe botëkuptimit.

Për herë të parë, opera “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova, u interpretua nga artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, më 26 nëntor 1959. Kjo foto e rrallë, e nxjerrë nga arkiva e TKOBAP, që mund ta shihni më lart, na risjell të gjallë interpretimin e Marie Krajës, në rolin e Mrikës dhe Ibrahim Tukiçin, në rolin e Dodës.

ObserverKult


Lexo edhe:

NJË VËLLA IA EKZEKUTUAN, DY JA BURGOSËN, E PRENK JAKOVËN E DETYROI ENVERI TË BËNTE…

ObserverKult