Muaji i Kujtesës: Aktivitete për të rinjtë në muzeun “Shtëpia me Gjethe”

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” në muajin shkurt, i cili do jetë “Muaji i Kujtesës” ka organizuar aktivitete edukative.

Nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” u bënë pjesë e programit edukativ: “Mbresa 2021” të organizuar nga Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.

Projekti “Mbresa” është një program edukativ dhe artistik i cili përfshin nxënësit e shkollave të mesme. Programi përmban një konkurs në këto gjini artistike:

Arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion). Krijim letrar (ese, poezi etj), muzikë (melodi, këngë), risi teknologjike etj.

Disa nga objektivat e këtij programi janë: përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese/edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe me veprimtarinë represive të Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare, promovimi i talenteve të reja, etj.

Nxënësit pasi vizitojnë muzeun, në bazë të ndjesive të përftuara krijojnë në gjinitë artistike të lartpërmendura. Punimet duhet të dorëzohen në muze brenda 15 ditëve pas vizitës.

Me pas, ato do të ekspozohen për rreth 2 jave në faqen e Facebook-ut të Muzeut dhe krijimi që do të marre më shume pëlqime do të vlerësohet me çmim te veçante.

Një juri e përbërë nga specialistë të fushës do të vlerësojë punimet më të mira. Është parashikuar që krijimet më të mira të vlerësohen me një dhuratë simbolike si dhe të bëhen pjesë e një katalogu./ATSH