Nga Muhamedin Kullashi
Para do kohe u botua në Paris libri «Charles Baudelaire.Pasioni i imazheve» (Gallimard).
Ky libër përmban një përzgjedhje të teksteve nga vepra të ndryshme të poetit të madh francez Charles Baudelaire (Sharl Bodler,1821-1867), në të cilat shpërfaqet pasioni i tij pêr imazhet; nê shkrimet e tij mbi artin, mbi pikturën, nga kritikat e tij letrare, eset dhe novelat, nga poezitë tij “Lulet e së keqes” etj. Libër ky voluminoz prej më se 1800 faqeve.
Përzgjedhjen dhe analizat e këtyre teksteve i zhvilloi studiuesi i shquar i veprës së Baudelaire-it Henri Scepio(Anri Sepio). Qysh në poemat e para të poetit, Scepio dikton “lirinë dhe luciditetin e rrallë në këtë lëvizje të kërkimit të imazhit e lidhur ngushtazi me fjalën poetike.”
Shijen e Baudelaire-it për imazhe kritiku e shpjegon si emërtues i një origjine të cilën e kultivon dhe e thellon, si një pasion përgjatë tërë krijimtarisë së vet. Autori vë në pah se “fusha e ndritshme e imazheve çilet kah pakufishmëria e ëndërrimit por poashtu edhe me një elaborim që ka ligjëshmëritë dhe rregullat e formësuara nga kujtesa” në traditën e poezisë dhe arteve tjera.(f.12). Nê kêto tekste Baudelaire analizon pikturat, gravurat dhe vizatimet e piktorëve të mëdhej si prodhime të një arti të lartë por edhe imazhet nê shkrimet letrare.
Kësisoj, në analizat e tij të pikturave të Delacroix-së (Dëlakrua) ai vë në pah “cilësitë imagjinative dhe specifikat stilistike të artit të tij.”
Scepio vë në dukje se në shkrimet e Baudelaire-it imazhi si “prodhim i artit dhe i artistit është kësodore vend i kryqëzimeve të pikëpamjeve të ndryshme dhe zbulues aktiv i horizonteve të ndryshme. Perspektiva e piktorit i bashkohet perspektivës së kritikut dhe prekë linjën optike të poetit”. (f.13).
Në eset e veta mbi pikturat Baudelaire-i është i preokupuar “të zhvilloj një dialog me piktorin, të hap veshin për të dëgjuar një univers të ndijimeve dhe mendimeve dhe të gjurmojë me talentin e vet të gjitha dimenzionet e imazhit.”(ib)
Scepio thekson se Baudelaire në këto shkrime i qaset imazheve me një ligjërim poetik si “truall i përshtatshëm për lindjen e analogjive dhe korespondencave, metaforeve dhe simboleve.”
Poeti i ndriçon nê ato shkrime realcionet qe thurren midis “pikturës dhe poezisë, midis imazhit dhe shkrimit, midis të dukshmes dhe të lexueshmes.” Baudelaire mendonte se çdo vepër e artit shpreh “mendimin intim të artistit”. Ai çmonte në veçanti pikturat e Delacroix si “figurë e piktorit absolut i cili u dëshmua i aftë të kapë vlerat e begatshmshme dhe parimet aktive të së tashmes me qëllim të kristalizimit të tyre në imazhe të fuqishme dhe elokuente.”
Pikturat e Delacroix-së për Baudelairin shquhen me aspektet epike e historike por edhe me dinamizmin lirik; ato janë sipas tij “simfoni ose poema me ngjyra” që janë krijuar.
Në artikullin “Arti filozofik” Baudelaire shpjegon se arti i pastër sipas koncepcionit modern nënkupton krijimin e një “magjie sygjestive që përmban njëherit subjektin dhe objektin, botën e jashtme dhe vet artistin…”. Në refleksionet e tij mbi letërsinë dhe artet ai eksploron gërshetimet midis vetëdijes dhe reales, midis imagjinares dhe faktit, midis idesë dhe materies ; ai afirmon në këto shkrime në veçanti subjektivitetin e artistit dhe fuqinë e tij krijuese.
Në fakt Baudelaire nuk ishte vetëm njeri nga poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj francez e evropian por edhe mendimtar i thellë e lucid mbi historinë dhe shoqërinë moderne. Jo rastësisht Foucault në analizat e tij mbi modernitetin nxjerr në shesh origjinalitetin dhe thellësinë e mendimit të Baudelaire-it në studimin e tij “Piktori dhe jeta moderne”.
Të përmendim këtu se profesori letêrsisë franceze Mensur Raifi na ka lënë një shqipërim të shkëlqyeshëm të poezive “Lulet e së keqes” të Baudelaire-it.
ObserverKult
Lexo edhe: