Ishte intelektuali që shfaqi përkushtim të madh politik, civil dhe kulturor. Ky ishte Italo Calvino, një nga tregimtarët më të rëndësishëm italianë të fundit të shekullit XX.
Me gjithë botimin e “Vetmitar në Paris”, Italo Calvino ka qenë gjithmonë diskret sa i përket jetës personale.
“Kam një dëshirë të pafund t’ju puth…”. Kështu e mbyllte ai letrën drejtuar aktores së njohur italiane Elsa de’Giorgi.
Gjatë tre viteve sa zgjati lidhja e tyre deri më 1958, Calvino i shkroi së dashurës së tij 300 letra.
Gjatë asaj kohe, aktorja ishte e martuar me një aristokrat italian. Historia sekrete e dashurisë u bë publike vetëm disa vjet më parë nga media italiane, e cila publikoi dhe disa nga letrat plot pasion të shkrimtarit… i njohur si një nga shkrimtarët italianë më të rëndësishëm pas luftës, Italo Calvino u mundua ta mbante të fshehtë jetën e tij private gjatë gjithë jetës.
Sidoqoftë, u bë i njohur që në moshën 29-vjeçare, pas botimit të romanit të tij të dytë: “Vikonti i përgjysmuar” – Përpiquni të përfytyroni një njeri të përgjysmuar që endet në një kështjellë mesjetare, i cili ndan dysh gjithçka i prek dora: bimë, kafshë, sende!
Përshkrimi është aq mjeshtëror, sa lexuesi që e ndjek këmba–këmbës anën e djathtë të vikontit me “maninë e Neronit”, nuk dyshon për asnjë çast se është duke lexuar një trill. Përfytyroni edhe gjysmën tjetër të vikontit, atë të mirën, që vjen e i ngjitet pjesës së parë.
Padyshim këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndarje a bashkim anatomik të trupit. Kjo është mënyra e Calvinos, për të treguar se e mira dhe e keqja bashkëjetojnë.
Koleksioni i tij privat i bërë publik pjesërisht nga familjarët dhe biografët, nxjerr në pah një burrë plot dëshira, i cili ka ditur të bëjë gjithë pasion dy jetë… Sekreti ishte një element frymëzues në krijimtarinë e shkrimtarit.
ObserverKult
——————————
Lexo edhe:
BEN BLUSHI: ATA JETOJNË PËR TË NA TREGUAR SA TË VARFËR JEMI…