“Muret flasin” është titulli i shfaqjes teatrale e cila i kushtohet arsimit paralel që u zhvillua në shtëpitë private përgjatë viteve të ’90-ta pas mbylljes së shkollave dhe ndalimit të arsimit shqip në Kosovë.
Organizatorët nga OJQ “ETEA”, nuk kanë dhënë datën e saktë se kur do të jepet shfaqja, megjithatë kanë bërë të ditur se ajo do të realizohet në një objekt të veçantë, transmeton ObserverKult.
“Shfaqja “Muret flasin”, do të zhvillohet në ambientet e shtëpisë-shkollë “Sami Frashëri”, përkatësisht në shtëpinë e familjes Aliu-Hertica, e cila objektin e sapo ndërtuar për vendbanim të familjes – e liruan për zhvillimin e arsimit gjatë viteve të 90-ta, përkatësisht për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Sami Frashëri”, kanë njoftuar nga organizata ETEA.
Kjo shfaqje është përgatitur në përkujdesje të:
Regjisor: Kushtrim B Mehmeti
Dramaturgët: Ulpianë Maloku dhe Florent Kurtalani
Aktorët: Allmir Suhodolli, Gentrit Shala, Blerta Gubetini, Margarita Ukaj dhe Florent Salihu.
Organizata po ashtu ka njoftuar se ky projekt është përkrahur nga Komuna e Prishtinës.
Përndryshe, organizata ETEA, përmes aktiviteteve të ndryshme synon edukimin publik nëpërmjet kultivimit të kulturës së leximit te të rinjtë dhe përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë. /ObserverKult