Musine Kokalari, krijimtaria e shkatërruar e shkrimtares

Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit të XX. Së bashku me Selfixhe Ciun dhe Jolanda Kodrën ka qenë ndër shkrimtaret e para në Shqipëri. Lindi në Adana në (Turqinë Jugore), në gjirin e një familjeje gjirokastrite. Më 1920 u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ku nisi shkollën fillore në Gjirokastër. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në Atdhe. Vëllai i saj, Veisimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30.

Edukimi

Më 1937 mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin. Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë Social-Demokrate. Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari.

Arrestimi dhe persekutimi

Pas Luftës II Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pasë qenë themeluese e partisë Social-Demokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Pak përpara arrestit i dërgoi një letër Aleatëve, të cilët ende ishin në Tiranë. Në letrën e saj kërkonte zgjedhje të lira dhe lirinë e shprehjes. Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim: “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983. Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë.

Vepra

Vepra e saj e parë, “Siç më thotë nënua plakë” botuar në të përjavshmen politike e letrare “Bota e re”, më korrik të vitit 1940, ishte në fakt një hartim i bërë në klasat e larta të Institutit Femnor. Pasi u botua u përcoll nga një kritikë prej Lasgush Poradecit më 30 të atij muaji. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.

Mirënjohje

Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komiteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN).

Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe një shkollë në Tiranë tani mban emrin e saj.

16 fakte nga historia e shkrimtares disidente

-Musine Kokalari ishte gruaja e parë shkrimtare në historinë e kombit shqiptar.

-Musine Kokalari ishte një nga 1 mijë gratë shqiptare dhe 1 nga 30 shkrimtarët që u arrestuan dhe u dënuan me burg si kundërshtarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

-Musine Kokalari jetoi 66 vjet, 4 muaj e 4 ditë. Ajo lindi më 17 shkurt 1917, në Adana të Turqisë dhe vdiq në Rrëshen, më 13 gusht 1983.

-Nga këto Musine Kokalari qëndroi e burgosur 15 vjet dhe 21 vjet e internuar deri ditën që vdiq si kundërshtare e regjimit me akuzën armike e popullit.

-Deri sa u instalua regjimi komunist Musine Kokalari ishte një shkrimtare e re me shumë perspektivë. Ajo kishte publikaur tre libra: “Seç më thotë nëna plakë”, Tiranë, Bota e re, 1940, “Rreth vatrës” 1944 dhe “Sa u tund jeta” 1945”.

-Musine Kokalari dhe Enver Hoxha ishin të dy nga Gjirokastra. Sipas dëshmive, në vitet ‘30 Enveri, një djalë i ri, kishte kërkuar të martohej me Musine Kokalarin, por ajo kishte refuzuar prerë.

-Pasi mori pushtetin, Enveri realizoi hakmarrjen ndaj Musinesë. Në 12 nëntor 1944 u pushkatuan pa gjyq dy vëllezërit e Musinesë si armiq të popullit.

-Dy vjet më pas u arrestua edhe Musineja, si themelues e Partisë Socialdemokrate dhe kundërshtare e sitemit komunist të instaluar. Ajo deklaroi në sallën e gjyqit:

-“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim, edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”

-Pas këtyre fjalëve Musine Kokalari u dënua me 20 vjet burg. Ajo kaloi 15 vjet si në burgun e Burrelit. Sapo u lirua, u internua në Rrëshen dhe u detyrua të punonte si pastruese e rrugëve të qytetit.

-Në këtë moment ajo i shkroi një letër me 4 faqe Enver Hoxhës, në të cilën i kërkoi të mos internohej, sepse e kishte përfunduar dënimin e vet.

-Mes të tjerave në letër ajo ka shkruar:

-“Kur lexova fjalinë tuaj se pas dënimit të çdokujt nuk do të kishte më as ndjekje, as pengesa. Burgun e mora si një borxh që duhej larë. Vetë veprova, vetë e pagova. Por dënimi i dytë nuk është trajtim i drejtë. Prandaj ju lutem shqyrtojeni edhe një herë, sepse, nëse ka arsye tjetër, unë jam gati të përballem”.

-“Në qoftë se unë si e internuar, nuk kam të drejtë të merrem publikisht me lëvizjen e librave, besoj se nuk më ndalohet që orët e lira të jetës sime private të merrem me metariale folklorike. Përse vallë të mos m’i jepni? Përse të bëhet ky persekutim?”

-Pas kësaj letre Enver Hoxha nuk denjoi t’i kthente përgjigje. Diktatori mësohet të jetë shprehur: Akoma gjallë qenka kjo?

-Musine Kokalari vdiq në Rrëshen, në internim, 21 vjet pas dërgimit të kësaj letre dhe 2 vjet para se të vdiste diktatori Hoxha.

-Ajo vdiq e izoluar dhe e përndjekur, duke shënuar një rast nga më të rëndët të përndjekjes së intelektualëve dhe një femre gjatë regjimit komunist.

-Musine Kokalari është nderuar dhe vlerësuar maksimalisht pas rrëzimit të sistemit komunist. Emri i saj është në panteonin e atyre që u përndoqën dhe u burgosën gjatë regjimit komunist për bindjet e tyre. Ajo është shpallur “Martire e demokracisë”. Një shkollë dhe një bibliotekë në Tiranë mbajnë emrin e Musine Kokalarit./(fjala.al)