Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë ul çmimet e biletave për sezonin e verës

 Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë ka njoftuar ulje të çmimeve për muajt e verës, në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Kulturës për periudhën 3 qershor- 31 gusht.

Gjatë kësaj periudhe, çmimet e biletave elektronike dhe manuale në muzetë e Krujës ndryshojnë. Kështu, çmimi i biletës për hyrjen në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” tashmë është 300 lekë, për Muzeun Etnografik Krujë bileta të reduktuara 50-70% për vizitorë të kategorive të ndryshme si pensionistë, studentë dhe bileta falas për fëmijët deri 12 vjeç.

Të dielave, hyrja do të jetë falas gjatë tre muajve, qershor, korrik, gusht. Biletat mund të blihen edhe online në www.cultureticketsalbania.al me çmimin 200 lekë/person. Oraret e vizitave në muzetë e Krujës janë çdo ditë (e hënë-e dielë) 09:00 -18:00.

Ky vendim është përshëndetur edhe nga kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. “Fantastik njoftimi i Muzeut Historik dhe Etnografik, Krujë. Janë pika e “gravitetit” ekonomik të qytetit, ku kjo fundjavë mund të cilësohet si “ditët e para turistike”! Forca dhe më e mira na pret përpara”, u shpreh Bushi.