Janë të shumta familjet shqiptare që ruajnë me fanatizëm objekte të trashëgimisë materiale, si veshje popullore, qëndisma, bizhuteri, orendi shtëpiake, vegla pune etj.
Duke u nisur nga ky fakt, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë fton të gjithë zotëruesit që t’i prezantojnë këto objekte tek faqja e institucionit duke u bërë kështu pjesë e projektit “Muzeu im”.
“A keni ndonjë unazë që jua ka lënë pas gjyshi apo gjyshja? Ndonjë vazo të vjetër në shtëpi? Apo çdo objekt tjetër që posedoni dhe vjen nga e shkuara e largët? Kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e këtij aktiviteti tërheqës është i ftuar që ta prezantojë objektin e tij duke na dërguar me mesazh ose duke komentuar në këtë postim foto dhe historinë e objektit”, është ftesa që vjen nga Muzeu Historik Kombëtar, në këto ditë vetizolimi prej koronavirusit, për të ndarë me bashkëkombasit historinë e objekteve më të veçanta që kushdo mund të ruajë në shtëpi/ATSH.