
Në kuadër të Ditëve të Mërgatës në Ferizaj, Muzeu i Qytetit është “zhvendosur” në qendër të qytetit me një ekspozitë të hapur, përmes së cilës synohet prezantimi dhe promovimi i trashëgimisë kulturore për mërgimtarët dhe qytetarët.
Për këtë aktivitet kulturor, në një intervistë për RTK ka folur përgjegjësi për Trashëgimi dhe Muze në Komunën e Ferizajt, Ilir Bytyqi.
“Sot, në kuadër të këtyre aktiviteteve që po mbahen për Ditët e Mërgatës, që i organizon Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ne si njësi e muzeut kemi dalë sot me një ekspozitë të hapur, me qëllim për t’i informuar sa më shumë mërgimtarët tanë edhe të gjithë qytetarët e Ferizajt për rëndësinë që ka prezantimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore”, tha Bytyqi.
Ai tregoi se ekspozita përmban fotografi që paraqesin të kaluarën historike dhe trashëgimore të qytetit të Ferizajt.
“Pamjet janë vizuale. Janë të paraqitura kryesisht fotografi që karakterizojnë të kaluarën historike dhe trashëgimore të qytetit të Ferizajt. Këtu janë gërshetuar një mori fotografish të cilat na i paraqesin artefaktet arkeologjike, më pas etnologjinë dhe ato historike”, tregoi ai.
Bytyqi tha se qytetarët janë veçanërisht të interesuar për të parë ndryshimet që ka pësuar qyteti ndër vite.
“Kryesisht njerëzit janë kureshtarë të shohin se si ka ndryshuar qyteti ndër vite. Sidomos kjo pjesa e historisë i pëlqen, sepse qyteti i Ferizajt është një qytet relativisht i ri, me një trevë jashtëzakonisht të vjetër nga periudha neolitike, por si qytet i takon vetëm vitit 1873 dhe vetëm 153 vjet jetë. Dhe brenda kësaj periudhe kohore kanë ndodhur ndryshime të mëdha arkitekturore dhe kjo ka ndikuar që qyteti shpeshherë të transformohet”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se ekspozita e organizuar për Ditët e Mërgatës është bërë tashmë një traditë dhe se mirëpritja nga qytetarët ka nxitur zgjerimin e saj në të ardhmen./rtk
ObserverKult
Lexo edhe:
Galeria Kombëtare e Kosovës ofron për publikun qasje në një pjesë të koleksionit të saj






