Muzeu i nudove të famshme, ndalon studenten me dekolte- pastaj i kërkojnë falje

Muzeu d’Orsay është një nga vendet më të mëdha turistike në Paris, ku shpalosen shumë veprave nudo ndër më të famshmet të artit francez të shekullit 19.

Por, kur Jeanne (Zhanë) studente franceze, vizitoi muzeun e veshur me një fustan të hapur, një prej ditëve të nxehta të kësaj jave, e ndaluan të hynte.

Personeli i muzeut u shpreh se “rregullat janë rregulla” dhe asaj iu lejua pasi u mbështoll me xhaketë. Historia e saj është bërë virale në rrjetet sociale dhe për këtë, muzeu ka kërkuar ndjesë.

Ajo postoi një fotografi e ulur në një restorant, katër orë para se të shkonte në muze me një mikeshë, duke përshkruar sesi, fillimisht një zyrtar, më pas një tjetër e vështronin në gjoks, por pa ia thënë se ç’rregull po shkelte ajo.

Zhana tha, se me temperaturat deri në 26 gradë të martën dhe si studente e dashuruar me artin e letërsisë, tregoi për dëshirën e saj për të shënuar fundin e një pasditeje të nxehtë, pranë Muzeut d’Orsay, transmeton ‘konica.al’.

“As që më shkoi në mendje, se dekolteja do të ishte subjekt mosmarrëveshjeje”, – thotë ajo. Megjithëse shoqja e saj kishte një veshje minimale që i shfaqte kërthizën, Zhana thotë, se vëmendja ishte përqendruar mbi gjoksin e saj edhe para se ajo të kishte pasur mundësinë për të treguar biletën.

“Oj, jo… nuk është e mundur, nuk lejohet, është e papranueshme,” – citon ajo, t’i ketë thënë biletashitësi.

Më pas, mbërriti roja duke cituar rregullat e muzeut, thotë ajo. “Në asnjë moment, askush nuk thotë që dekolteja ime është problem, por nuk e heqin vështrimin mbi gjoksin tim, duke iu referuar si… ”kaq”.

Fillimisht, vajza nuk pranoi ta vishte xhaketën. Kur postimi i saj në “Twitter” u bë viral, muzeu u përgjigj, duke thënë se ata ishin të vetëdijshëm për “incidentin” me një nga vizitorët.

“Jemi thellësisht të penduar për këtë dhe i kërkojmë falje personit të përfshirë, me të cilin, po kontaktojmë menjëherë” – thuhet në mesazhin e ndjesës, nga ana e muzeut.