Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është listuar ndër 50 muzetë europianë më novatorë të dyzet viteve të fundit.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, tha se “mes këtyre muzeumeve prestigjioze renditet edhe “Marubi”, i cili falë vizionit të qeverisë shqiptare, nuk mbeti në termat e një arkive, por u shndërrua në një muzeum modern, në përputhje me standardet europiane”.
“Falënderim për partnerët tanë, që na mbështetën në ngritjen e këtij muzeu, por edhe për stafin e palodhur, për idetë e reja që ndan me publikun”, – tha Margariti.
“Revisiting Museums of Influence. Four decades of Innovation and Public Quality in European Museums” prezanton portretet e 50 muzeve europianë, për qasjen novatore ndaj trashëgimisë kulturore dhe përcjelljen e saj te publiku, në këta 40 vitet e fundit.
Pjesë e këtij klasifikimi janë muze si Rijksmuseum në Holandë; MuCEM- Museum of European and Mediterranean Civilizations në Francë; The British Galleries at the Victoria and Albert Museum në Britaninë e Madhe; Museum of Broken Relationships në Kroaci; War Childhood Museum në Bosnjë-Hercegovinë.
Muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, si dhe një nga më të pasurit në rajonin e Ballkanit, që daton në një periudhë kohore nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.
Më 9 maj 2016 muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” u përurua së bashku me koleksionin e Bibliotekës së Fotografive. Muzeu i ri është një prej trashëgimive më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasi ai dëshmon për më shumë se një shekull të historisë dhe hedh dritë mbi momente, njerëz dhe ngjarje të rëndësishme që shërbejnë si një pasaportë thelbësore për kulturën shqiptare./ATSH