Muzeu Kombëtar pasurohet edhe me një eksponat që ka vlerë historike për Kosovën

Vendimi final për liberalizimin e vizave për Kosovën u nënshkrua me datë 19 prill të vitit 2023. Pena me të cilën u nënshkrua ky vendim mjaft i rëndësishëm iu dhurua zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimit nga ish=raportuesi për Kosovën mbi këtë proces pranë Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë në fund të muajit të kaluar.

Këtë penë që Bislimi e pranoi si dhuratë nga ish-raportuesi për Kosovën Reuten së fundmi ia ka dhuruar Muzeut të Kosovës, e të cilën dhuratë e ka pranuar zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut, Vjollca Aliu.

Kështu ka njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) përmes një njoftimi në rrjetet sociale. Ndryshe, ky objekt, pritet të ekspozohet më tutje në Muzeun Kombëtar të Kosovës.


ObserverKult


Lexo edhe:

MUZEU KOMBËTAR ME EKSPOZITË PËR SKËNDERBEUN, DREJTORI TREGON PSE NUK U HAP MË 17 JANAR

Në kuadër të 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Muzeu Historik Kombëtar ka çelur një ekspozitë me riprodhime gravurash, flamujsh të principatave të Arbrit dhe fragmente të jetës e veprës së heroit.

Ekspozita vjen rreth 3 javë pas 17 janarit e njohur si data e ndarjes nga jeta të Skënderbeut. Drejtuesi në detyrë i institucionit, Dorian Koçi shpjegon vonesën dhe risitë.

“Nuk ishte e mundur të hapej në 17 janar se buxhetet hapen me vonesë derisa arrijmë buxhetin e ri. Viti i Skënderbeut është viti i Skënderbeut nga fillimi deri në fund. Kjo ekspozitë sjell për herë të parë disa këndvështrime që kanë të bëjnë me një koordinim, të gravurave të ndryshme të Skënderbeut. Gravura këto të bëra në shek 17-18”, tha Koçi.

Ekspozita është konceptuar nga 3 kuratorë, asnjë prej tyre, studiues i Mesjetës, siç pohon drejtuesi. Megjithëse ekspozita priti buxhetin, kostoja e saj nuk u bë publike.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult