Muzeu Lëvizës i Tiranës ndalet në Prizren

Muzeu Lëvizës i Tiranës ka ndaluar të mërkurën në Prizren, si pjesë e aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të shpalljes si kryeqytet i Shqipërisë. Kësisoj copëzat e historisë së kryeqytetit shqiptar të vendosura tek një kamion i parkuar në Sheshin e Lidhjes janë ndarë me vizitorët në Prizren.

Në organizimin e realizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare dhe nga Komuna e Prizrenit është theksuar se Muzeu në Lëvizje sjellë Tiranën nëpër kohë, me foto e dokumente autentike të mundësuara nga arkivi i shtetit, që prej nëntorit të vitit 1912 e deri më sot.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka pohuar se viti aktual shkaku i pandemisë ka qenë shtytës për reflektim dhe njohje më të madhe me qytetet shqiptare të rajonit.

Sipas saj Prizreni ka qenë nisje e mbarë për rrugëtimin e Muzeut Lëvizës të Tiranës, që do të udhëtojë edhe në qytetet tjera, si: Gjakovë, Pejë, Prishtinë, Preshevë dhe disa qytete të tjera.

Ndërsa udhëheqësja e këtij projekti, Andriola Kambo ka pohuar se përmes këtij koncepti turistik mundësohet njohja mes qyteteve e banorëve të tyre.

Nikoqiri përkatësisht kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka theksuar se kjo komunë çështjen e prezantimit kulturor e trashëgimisë kulturore e ka një nga prioritetet, meqë kjo ndikon në zhvillim e turizmit në Prizren. Sipas tij qëllimi i Unionit të Bashkive Shqiptare është promovimi kulturor dhe turistik i qyteteve shqiptare.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka theksuar se me këtë aktivitet Tirana nderon Prizrenin, dhe ka bërë thirrje që nisma të tilla të shndërrohen në aktivitete tradicionale, transmeton ‘koha.net’.

Sipas organizatorëve, Muzeu Lëvizës i Tiranës, strehon në miniaturë rrugëtimin dhe kujtesën e qytetit që përgjatë një shekulli, falë bujarisë dhe trashëgimisë së tij më të mirë si dhe kontributit të elitave kombëtare u shndërrua në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.