Muzeu më i veçantë në Ballkan ndodhet në Shqipëri, gjynah sa pak investime janë bërë në të

Edhe pse muzeu i Pogradecit është i vetmi institucion historik që tregon fakte dhe dokumenton historinë e zonës, mungesa e investimeve i ka zbehur rëndësinë që ai mbart.

Drejtoresha e këtij institucioni, Froseda Tole tregon se çfarë është e nevojshme të bëhet për ta rijetëzuar.

“Është e vërtetë, muzeu ka pasur pak investime në këto ditë kjo është dhe arsyeja që nuk mund të gjejmë mënyrën e ekspozimit siç e shohin në muzetë e tjerë.

Është e nevojshme pajisja me vitrina. Patjetër që ka nevojë për investime për rikonstruksionin total të godinës, rrethimin e jashtëm, pak më shumë respekt nga ana e banorëve që e rrethojnë muzeun, dhe ata kanë rolin e tyre në mënyrën si keqtrajtohet muzeu”, thotë Froseda Tole, drejtoresha e muzeut Pogradec për ‘euronews.al’.

Koleksioni që ndodhet në këtë muze është ndër më të rrallët në Ballkan.

“Muzeu ka një koleksion shumë të pasur, nis nga neoliti i hershëm. Komplekse veglash pune, ka objekte të veçanta në vetvete që përbëjnë objekte të rrallë.

Kemi dy përkrenare ilire që në llojin e tyre janë të veçanta, nuk ka më shumë se 30 ekzemplarë në gjithë Ballkan”, shprehet Tole.

Mungesa e investimeve ka ndikuar negativisht edhe në numrin e vizitorëve. Turistët e huaj janë shumë të rrallë. Për këto arsye, ndërhyrja për restaurimin e godinës mbetet domosdoshmëri.

Për ju që dëshironi ta vizitoni, ja ku ndodhet?

Muzeu i Pogradecit ndodhet në qendër të qytetit dhe përbëhet nga 3 pavione kryesore të dedikuara arkeologjisë, Etnografisë dhe Historisë.

Artefaktet dhe dokumentat historik janë vendosur në mënyrë kronologjike dhe tipologjike që vizitorët të kenë mundësinë të ndjekin evolucionin e objekteve në ekspozitë; mjetet e punës, qeramikat, mjetet e luftës, bizhuteritë, monedhat dhe veshjet.

Nxënësit janë vizitorët më të rregullt, për shkak se e kanë në literaturë që duhet të njohin historinë e qytetit dhe trashëgiminë kulturore.

Muzeu shërben edhe si vend për organizimin e aktiviteteve dhe konferencave me natyrë të trashëgimisë historike dhe natyrore.

Muzeu i Pogradecit është një godinë dykatëshe, por sërish është e vogël për të shfaqur objektet e ruajtura brenda.

Pothuajse ¾ e hapësirës është e përdorur për ekspozimin e artefakteve, ndërsa pjesa tjetër përdoret për të ruajtur, restauruar dhe mbrojtur objektet e ekspozuara, si dhe për zyrat e administratës së muzeut.


Koleksionet e muzeut


Koleksioni që gjendet në këtë muze përbëhet nga një sërë objektesh që i përkasin periudhave të ndryshme të historisë.

Disa artefakte arkeologjike datojnë nga neoliti, rreth 8000 vjet më parë, ndërsa të tjerë i përkasin mesjetës së vonë.

Objektet etnografike datojnë nga fundi i mesjetës deri në fillim të shekullit XX, ndërsa dokumentet dhe fotografitë i përkasin periudhës nga shek. XVII deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Mungesa e vitrinave, problematikë në vete

Një problematik e madhe mbetet edhe mungesa e vitrinave për ekspoze pasi ato aktualet janë të hapura dhe shumë nga objektet që janë të ekspozuara edhe mund të dëmtohen.

Muzeu i Pogradecit ka një fond prej 1500 objektesh, ndërkohë që vetëm 400 prej tyre janë të ekspozuara.

Pjesa tjetër është e magazinuar.

E përgatiti: A. S. – ObserverKult


Lexo edhe:

MUZEU HISTORIK KOMBËTAR, VENDI KU STREHOHEN RRETH 5000 OBJEKTE TË RËNDËSISHME

ObserverKult