Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” në kuadër të kurimit të së shkuarës përkujtoi dje poetin Havzi Nela, varur në litar nga diktatura komuniste më 10 gusht 1988, në qytetin e Kukësit.
Poeti Havzi Nela, lindi më 20 shkurt 1934, në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, filloi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, por u përjashtua për bindjet e tij duke u cilësuar si element destruktiv.
Pas shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, në Mat.
U dëbua dhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë: u lexonte nxënësve poemat e tij. Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si Kruma, Lojma dhe Shishtaveci, deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan. Aty kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.
Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. U arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së. Më 22 maj 1967, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri.
E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje.
Poeti Havzi Nela la një sërë veprash dhe dorëshkrimesh si “Në qelitë e burgut”, “Nuse më dhanë robninë”, “Eni të vajtojmë Shqipërinë” dhe “Nusja e flamurit”, “Asnjë çast lumnije” e dorëshkrime të tjera.
Ai është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”.
Në 30-vjetorin e varjes së poetit Havzi Nela, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit vuri në dispozicion të studentëve dhe publikut dokumentet e deklasifikuara që i përkasin ish-Sigurimit të Shtetit./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:
Amaneti i Havzi Nelës, para se ta varnin: Kam 910 lekë dhe kërkoj t’i jepen nënës…