Ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare në Prishtinë kantautori i njohur, Riza Dolaku. Ai nuk ka mundur dot të fitojë betejën me një sëmundje të rëndë në mushkëri.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar për ‘RADIO 1’, miku dhe bashkëpunëtori i të ndjerit, kompozitori Afrim Macula.
“Na iku ky njeri i dashur, i veçantë dhe i madh për nga natyra muzikore. Riza përcjellet sot në ora 13:00 në banesën e tij të fundit, në varrezat e kryeqytetit, në Prishtinë”, u shpreh Macula në ‘RADIO 1’.
Riza Dolaku është autor këngësh të njohura. Ai ishte kompozitor që studioi në Akademinë e Muzikës në Beograd. Filloi shkollën e mesme muzikore në Prizren dhe e përfundoi në Prishtinë.
Riza Dolaku mori pjesë në festivale të ndryshme si: “Akordet e Kosovës”, “Zambaku i Prizrenit, Nota Fest etj.
I ndjeri, ishte gjithashtu një pianist dhe pjesë e jurisë në festivalin “Shon Fest 2000”.