
Nga Myrvete Allmeta
Ne ishim të varfër, por filmat i shihnim me princin e kaltër dhe jetën e princeshave në pallatin mbretëror…
…me përralla të tilla – rrena thanë se gjoja lipset të na “zhvillonin imagjinatën…”
Por kur rriteshin vajzat prisnin të martoheshin me princër të kaltër si ata në përralla, madje ato duhet të ishin çmendurisht të gatshme të bënin sakrificat e motrës së madhe të Hirushës e cila pret gishtat e këmbës në mënyrë që t’i bëjë këpuca, për të arritur atë, princin që duhet të ishte joshës sa duhej “të linte pa ndjenja” siç e la princi Rapunzelin në takimin e parë.
Po meshkujt?
Ata duhet të ishin sakrifikues aq sa në të njëjtën përrallë, princi hidhet nga dritarja dhe verbohet nga gjembat përreth kullës. Rapunzeli lind binjakë dhe bashkohet me princin, të cilin e shëron me lotët e saj.
Po në realitet?
Hiç, kurrkush nuk u martua me princ të kaltër…
Vajzat pas adeteve të fejesës e martesës, i priste gatimi vorbes se groshës, me ndonjë kockë të falur nga kasapi dhe larja e livereve (rrobave) aq sa kyçet duhej t’i lidhte si Hirushja, por me një dallim që princi – burrë nuk e shpëton nga realiteti i dhimbshur, por i thote: jepi grua, se jeta nuk është si në përralla!
Këpucët e kristalta, fustanin që fshinte një dynym tokë, gruaja as nuk e çonte më nëpër mend, sepse burri mezi kishte gjetur një hyrje me qera pesëdhjetë metra katror, ku uji vinte me orar, e garderobë kishte ca fustane të varura në gozhdën prapa derës së drunjtë që ishte shpuar aty këtu nga krimbi i drurit që kërciste dhëmbët lehtë e ishte refren që i shoqëronte vakt e pa vakt..
E kështu jeta u shkonte herë me bukë e herë pa bukë, ndërsa përrallat me “happy – end” – in i shohin çdo nate bashke duke ngrenë kokoshka e në Tv thonë: e bukur, por përrallë …e parealizueshme…
Vërtet jeta nuk është si në përralla, por pse na rrejtën xhanëm?
A nuk ka ardhur koha t’u ndryshojme literaturën fëmijëve tanë??
ObserverKult
Lexo edhe:
MYRVETE ALLMETA: “MAM, PSE U BË KURBAN NJË GRUA DHE JO NJË BURRË?”






