Për poezitë e Leon Lekajt
Nga Eduart Sulollari
Re të verbra thyejnë brinjët të verdhës hutaqe të vjeshtës. Një udhëkryq i vetmuar me krahët e hapur thërret erërat. Thëllimi i parë lëkund flakën mbi çatitë e përgjumura. Ngarkuar me ëndrra i iki natës, mbështetem tek pragu i ditës duke ” soditur duelin e shkëmbinjve me agimin” me Lorkën dhe lexoj…
” I pashë sytë melankolikë të dallndysheve
të mbushuna me flatra ikjesh
dhe thashë fjale te trishta për lamtumirat “
Kështu takova poetin Leon Lekaj.
Malli në portat e tempujve të dhimbjes gdhend lamtumirat.
Fjala gjen tokën e duhur për të çelur magjinë. Kjo poezi më lejon të gjej kurora poetike.
“Poezitë jane lule tepër të brishta”, citon poeti grek Nasos Vajanes.
Dëshira marroke për ta lexuar nuk frenon minutën kanakare, dega e muzës fsheh peizazhe që nuk mund t’i dallosh në lëçimin e parë fluturak…
“Ma vonë
Kur një tufë fmijësh
Nisën me ngâ mbas tingujsh
Zgjata dorën mes hapave të tyne
Dhe kapa fillin e humbun të gzimit“.
Nëse ndalim frymën vetëm për pak le të udhëtojmë në këto vargje.
” I pash sytë melankolike të dallndysheve“
dhe
“…mandej, kur një tufë fëmijësh…“
Çfar kumti!
Poeti ka në duar fillin e hollë të qartësisë, të befasisë, të puhisë së papërsëritshme, të velës së vet poetike.
Sepse kjo poezi, ky poet luan ëmbël me fjalën…çdokush mund t’i kishte hedhur vargjet kështu…
“I pash sytë melankolikë të fëmijëve“
Dhe
“më vonë
Një tufë dallandyshesh“
Me një rokadë të artë poeti klith!
Ky është art, ky është poeti Lekaj.
Me psherëtima therëse vjen konturimi i poezise “Ardhja e vjeshtës”. Ndien praninë e ndrojtur të poetit tek përhapet nëpër rrjeshta si një mjegull grykës së etur të luginës.
” Mbi bar sot u ndesha me një
Krah të thyem zogu
Në një kuvend të trazuem kojrrillash
Që n’duer e në sy shfletonin jugun.
Prandaj i trembem heshtjes ktë mbramje“
Digjen ëndrrat! Ankthi mbulon mërmërimën gulçuse. Ngashërimi zbret mbi bar, aty ku dergjet krahu i zogut dhe vizaton tablonë e papërsëritshme.
“Lëkunden trëndafilat me një dhimbje të gjatë të bardhë“, gjëmon Frederiko Garcia Lorka dhe ja kodrës “Likavitó” .
“…shfryjnë zemërimin e errnat e fajshme“, po kaq gjëmon edhe poeti yne Leon.
Kamxhiku i pikëllimit trondit shpirtin deri në pejzën më të heshtur…
“…Dritat e ndezuna më lejojnë me përgjue
Trupat e pajetë të gjetheve të zverdhuna“
Ç’perlë!
Trokthi i pikëllimit ka finesën e ndërgjegjes që ecën në të vërteta të ndriçuara nga ndjenjat.
“Koha një puhi e fjetur mbi degë…“, këndon Lorka.
Leoni kërkon hapësira të fjalës poetike. Pikturon në telajon e vjeshtës, atë mall gërryes me zjarrin e syve të së bukurës lëbyrëse…
“Asht rrënue kjo vjeshtë plangprishëse
Që dikur vraponte tek unë
Si një kalë i verdhë me pak diell…“
Filozofi!
Metaforat kanë dalë nga azilet e shekujve, rendin “…në kopshtin e kërrusun prej errnave” për të parë
“…Gishtat tregues drejtojnë në kor
Kah turra e gjetheve që protestojnë me vdekë”
Rrugëton me mërgimin. Eremit në pritje.
“Vjeshta përgjon edhe tej dritares
Ku derdhet triumfi i një hane prej guri
Dhe qeshja frenetike e miqve të rremë“
Çfarë qesëndie turullosëse!
E thekshme!
Lebetitëse!
Vèren të shkundet drita meite-e mekur e miqve të rremë.
Për fatin e mirë të poezisë, në tokën helene merr jetë poezia jonë nëpërmjet poetit brilant Luan Xhuli, madonës së poezisë konteporane Diamanta Zalta, të baroneshës së lirikës drithëruese Rakela Zogaj, për të ardhur tek i heshturi më në zë, Leon Lekaj.
Në dritaret e vogla, avulli i dhomës luan me trupin e zhveshur të vashës, statujat ndanë rruge në grushta mbajnë gjakun e humbur të fitoreve, dhe krejt i vetmuar gëzimin e një ylli digjet mbi pemë! Kjo është ndjesia kur lexon poezinë e Leonit.
“Dëshpërimit i mjafton një grimcë shprese që të ndezë të gjitha dritat e lumturisë, ndërsa në zhgënjim nuk do të mjaftonte as krejt energjia e shpirtit për të ndezur qoftë edhe një llambë të vetme të saj”, citon poeti.
Dhe në frymën e këtij postulati kanë ardhur në jetë dhjetëra poezi tek ndodhesh burimit të dritës së mbrëndshme të shpirtit poetik…
“Sa herë matem me kërkue sytë e hanës“
dhe
“në ag dita shkapetet dhimbjen për gur
e fjalët e idhta digjen si eshkë“
Gjuhë e përkorë!
Është e pamundur të jesh pranë poezisë së Leonit e mos të ndalesh vargut e të ndiesh se si “...qielli mbushet plot deshira“.
Ecën kështu duke prekur krahët e blertë të poezisë “Vera”. Dikton dhimbjen mes pikëllimit hyjnor…
“Sonte u shue edhe kori i fundit i gjinkallave“
Troket xhamit të krisur të dëshirës, godet zemrën si muzgu mjelmën e plagosur.
“…po ti eja e dashtun ktë natë
e ma ven në grusht dëshirën e vjetër “.
Të pikturosh me fjalë.
Të kesh në dorë penelin, të shohëpsh se si koha rrjedh, e këtë rrjedhë ta veshësh me shkëndija.
Çfar arti vezullues!
Në poezinë e Leonit ndodh shpesh të zhytesh në thellësinë e fjalës, të ndjesh dorën e metaforave të të japin atë prehje dehesë, pastaj “Rikthim në vendlindje” thith gjithë vëmendjen. Rrëke e mallit bëhet lumë.
“I shkarkova të gjitha atje!
hapat e derdhuna të mungesës
frutat e ndalueme të kthimit,
dhe supin e lagun prej dhimbjes tande.
E prap, lumi brutal i dëshpërimit
doli prej shtratit të vet.
I bindun mbeti veç gjaku
dhe rruga e tij drejt zemrës”.
Çfarë dhimbje!
Djeg si plumbi qiellin e kaltër.
Syri i tij bën dialog me shpirtin pa ngarkesë fjalësh.
Plaga e gëzimeve dhe përpikmëria e gjetjeve të bën ta lexosh poezinë më të fundit në gjëndje eterike…
“…dhe unë kam me të dhurue një
grusht lumtuni
nga kjo që më mungon“.
A nuk e ushqen poezinë me lirizëm, si erërat e lumtura tek përkëdhelin fushën shtatzënë./ ObserverKult