Nanë, ndihem në faj kur e gjej veten të lumtun, tu e dit sa ke vujt

liridon mulaj

Nanë!
Sot, në këtë ditë ftohtë dhjetori, tuj udhëtue me autobus, perballë meje, pashë pamjen ma të bukur që sytë mund të sodisin. Nji fëmijë të vogël qi puthte t’amën pa pushim. E për dreq nja dy pika lot me ranë njashtu pa i miratue, aq sa më erdh marre prej njerëzve që m’i kishin ngulë sytë e më shihnin me habi.
“Burri nuk kjanë – më erdhën në mend fjalët e tua, qi mi thoje fëmi kur qaja se nji teke e jemja nuk u plotësonte.

Nga Liridon Mulaj

Sot mbas shumë vitesh më kaloi fëminia nëpër mend, e m’u kujtu sesa rrallë të kisha puth unë ty nanë, po sa shumë të kisha dashtë. Po njashtu si fmi i llastuem, kurrë s’dita me ta tregue at’ dreq dashnie.
M’u kujtonte fort mirë kur nji çokollatë në dorën teme, ishte gjithmonë nji kafshatë bukë ma pak për tjerët e për ty. Po ti kurrë s’u ankove, po ashtu tuj fsheh brengat nën shami, ndoshta shpesh ke fjet pa u ngi me bukë.
Nëpër mend më kaluan kujtimet, e kur i vuna në peshore më dolën që ty nanë ma shumë të kam pa tuj kjajt sesa tuj kesh.
Erdh’ nji ditë kur u bana burrë, e mu desht me e provu emigrimin. Si gjylpanë më thernin në zemër, lotët e tu kur më përcolle n’derë, e sa u mërzite ti nanë edhe pse unë kurrë nuk pata kanë djali “ideal” për ty.

Kam ec kambë atë natë, maleve të Greqise e kurrë nuk të thashë sa e vështirë u ba ajo rrugë për mue. Jo prej lodhjes, po se në çdo përfytyrim më dilte fytyra jote, më dilnin lotët e tua që kur i kujtoja, mu bajshin kurth në kambë e me ec nuk më lenin.

Dy vjet në vend të huaj, a e di sa më ke mungu nanë?

Po asnjiherë nuk e dhashë veten kur folnim bashkë në telefon, se ti përherë me thojshe:” Burrat nuk kjajnë…
Eh, më pyet nji herë kur telefonin e mbyllja, e u shtrija ne atë krevat të dalun fare, sesa herë e kam la jastëkun me lot.
Isha i ri fort, e larg teje s’dukej ndryshe veç si i tretun. E di nanë, asht marre me kjajt, po unë nuk u bana ndojherë “burrë”. Mu ka thye zemra shpesh, po ti kurrë nuk e more vesh se ti e din jam tip i mbyllun, po edhe s’kam dasht me t’i shtue mërzitë.
E prapë sot kur jetën teme e vej në peshore, mërzitem ma fort, se e di se s’të kam dashtë aq sa duhet , ose të kam dashtë po nuk kam ditë me ta thanë.
E sot unë s’muj me e u gëzue e me u dëfrye se ndihem në faj kur e gjej veten të lumtun, tu e dit sa ke vujt.
Por, du ta dish, andrra jeme ma e bukur je ti, je dita jeme me diell gjithmonë, je gëzimi ma i madh edhe pse keto i patëm me pikatore në këtë jetë.
Du ta dish nanë, edhe pse s’ta them, unë sa herë vij në shpi, kur shoh ftyrën tande, çdo të keqe harroj. Nji përqafim i joti jetën ma shton.
Të du nanë, të kam dasht’ gjithmonë edhe pse kurrë s’ta thashë sa duhet. Djali yt asht krenar për ty!

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: E KAM DASHTË SI I ÇMENDUN…