
Nata e dytë e Festivalit të Sanremos ka dhuruar emocione të forta që në minutat e para, me Achille Lauron që ka ngritur peshë publikun e Teatrit Ariston. I rikthyer këtë herë në rolin e rëndësishëm të bashkëprezantuesit, artisti italian u prit me një duartrokitje të gjatë në këmbë nga të pranishmit në sallë.
Ky edicion i festivalit, i cili mban të mbërthyer pas ekranit miliona shikues, po transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht për publikun shqiptar në kanalin RTSH 2.
I njohur për stilin e tij ekscentrik dhe transformimet e guximshme skenike, Lauro nuk zhgënjeu as këtë radhë. Ai u shfaq në skenën e Aristonit i veshur tërësisht me të bardha, një zgjedhje elegante por e jashtëzakonshme. Pamja e tij u kompletua nga një fjongo e madhe që i lidhte jelekun dhe një gjerdan tërheqës e masiv me varëse, duke rrëmbyer menjëherë vëmendjen dhe brohoritjet e sallës.
I prekur nga pritja e ngrohtë e publikut dhe rikthimi në skenën ku la gjurmë një vit më parë, Achille Lauro ndau një mesazh falënderimi dhe reflektimi për suksesin e tij të fundit.
Ai kujtoi impaktin e jashtëzakonshëm që pati kënga e tij e vitit 2025:
“Ka qenë një vit i mrekullueshëm: pas ‘Incoscienti Giovani’, ndodhi diçka magjike,” u shpreh artisti me emocion. Ai përmendi arritjet e tij të mëdha përgjatë muajve të fundit, duke shtuar: “Stadiumet, themelimi i fondacionit tim dhe sot edhe kjo mundësi: ndodhi vërtet, është e gjitha e vërtetë.”
Prania e tij si bashkëprezantues krah Carlo Contit është vlerësuar si një nga pikat më të forta të natës së dytë, duke i dhënë festivalit një energji të re dhe moderne.
Më tej 15 nga 30 artistë interpretuan këngët e tyre. Në fund të mbrëmjes pas votimit (50% votat e publikut dhe 50% ato të jurisë), u shpallën 5 artistët më të mirë e mbrëmjes së dytë të Sanremo 2026 (renditja e rastësishme).
5 artistët më të mirë:
Tommaso Paradiso – ‘I romantici’
LDA & AKA 7even – ‘Poesie clandestine’
Nayt – ‘Prima che’
Fedez & Masini – ‘Male necessario’
Ermal Meta – ‘Stella Stellina’
“Stella Stellina” e kantautortit shqiptar është një këngë, që Meta ia ka dedikuar një vajze të vrarë në Gaza.
Ndërkohë emri “Amal” i qëndisur në jakën e këmishës së tij nuk përfaqëson vetëm një vajzë të vogël, por shndërrohet në simbol të viktimave të pafajshme të luftës Izrael-Palestinë.
ObserverKult






