Nisi së fundi nata e parë e ndarjes së çmimeve “BAFTA” çka paraprin natën e madhe të eventit më të rëndësishme të kinematografisë çmimet “Oscar” që zhvillohet në fund të muajit. Kjo natë u përqendrua në disa kategori dhe u ndanë nëntë çmime.
Në fillim të mbrëmjes, drejtuesja Clara Amfo kushtoi homazhe për Princ Philip. Bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth, i cili u nda nga jeta në 9 prill në moshën 99-vjeçare.
Philip u emërua presidenti i parë i BAFTA në 1959 dhe që nga ajo kohë kishte një lidhje të ngushtë me akademinë. Nipi i tij, Princi William është presidenti aktual i BAFTA.
”Ma Rainey’s Black Bottom” është filmi dramatik që arriti të fitojë dy çmimet kryesore në natën e parë. Çmimin për kostumografinë dhe mënyrën e paraqitjes vizive të aktorëve.
Një film ku ngjarjet janë të zhvendosura në vitet 1920 në Çikago dhe ku personazh kryesor është këngëtarja e muzikës xhaz, Ma Rainy. E ku protagonistë kryesore janë Viola Davis dhe i ndjeri Chadwick Boseman.
Çmime të tjera shkuan për historinë e “Rocks”, filmi thriller “Tenet” u vlerësua për efekte speciale vizuale. Dhe “Sound of Metal” i cili bazohet në historinë e një bateristi që humb dëgjimin fitoi çmimin për efektet më të mira të tingujve e zhurmave.
Dizajni i prodhimit shkoi për filmin e Hollywood-it “Mank”. “The Present”, një histori që flet për raportin e një babai me vajzën e tij në Bregun Perëndimor, fitoi çmimin për filmin britanik me metrazh të shkurtër. Ndërsa “The Owl and the Pussycat” fitoi çmimin e animacionit.
Aktori Noel Clarke u vlerësua për kontributin në kinema. Ndërsa të tjera çmime të rëndësishme do të jepen mbrëmjen e sotme.
Ceremonia e Akademisë Britanike të Filmit dhe Arteve Televizive po mbahet gjatë dy netëve online për shkak të pandemisë. Dhe karakterizohet nga diversiteti pasi janë nominuar një numër i madh grash dhe të aktorëve me ngjyrë apo nga Azia./EuronewsAlbania