Ndahen çmimet e konkursit “Libri i Karantinës”, ja kush janë fituesit

U  ndanë çmimet e konkursit “Libri i Karantinës” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Juria e Konkursit “Libri i Karantinës”, e përbërë nga Rita Petro, Durim Abdullahu, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri dhe Loer Kume, ka vlerësuar si librat më të mirë të konkursit “Libri i Karantinës”, tri vepra.

“I liri” me autor Lum Gashi me motivacionin: “Për prekjen dhe përshkrimin e gjallë dhe të imët të karaktereve e situatave të zakonshme, duke i përcjellë fuqishëm përmes forcës artistike, një autor që arrin të kthejë jetën e përditshme në një art të madh”.

“Tregime” me autor Ervin Nezha me motivacionin: “Për stilin befasues, mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve, si vazhdimësi e një tradite në gjininë e tregimit shqip”

“Grupi Bella Ciao” me autor Vera Bekteshi me motivacionin: “Për kulturën e lartë të shkrimit, karakteret e spikatura, ironinë dhe humorin, përmes së cilës “vizaton” kohën e koronavirusit”

Tre veprat fituese do të botohen nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Libri shqip dhe autori shqiptar do të jetë në fokus të punës së QKLL-së.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilëson këtë konkurs si, “gjetja e duhur për një kohë të pazakontë”.

“Pak ditë më parë çelëm në Muzeun e Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” ekspozitën e librave të ndaluar në diktaturë. Edhe pandemia që po kalojmë është një lloj diktature, që po na privon nga e përditshmja jonë normale e që nuk do të kalojë pa lënë shenjën e saj edhe në letërsi”, thekson Margariti.