Ndahen çmimet e letërsisë për të rinj, Flutura Açka tri porosi për fituesit

Suad Arilla, Tobias Xhaxhiu dhe Besart Kadia janë tre fituesit e fondit të krijimtarisë letrare për të rinj. Këta autorë u përzgjodhën nga dhjetë të tjerë, që iu bashkuan kësaj gare të realizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Suad Arilla me romanin “Libri i kujtimeve dhe harresës” u vlerësua me motivacionin: “Për një roman që përcjell te lexuesi luftën e brendshme të secilit personazh të stilizuar me mjeshtëri, gjithë pse-të e tyre, përpjekjet për të kuptuar veten, por dhe të tjerët, nëpërmjet një gjuhe të kujdesshme, leksiku të pasur dhe figuracioni të shprehur”.

Tobias Xhaxhiu me romanin “Memento Mori” u vlerësua me motivacionin:  “Për sjelljen origjinale të një balade të njohur, mbajtjen pezull të lexuesit me të njohurat dhe të panjohurat, për përdorimin e një leksiku të pasur, për përzgjedhjen me kujdes të toponimisë dhe antroponimisë, në funksion të sjelljes së kohës dhe vendit ku zhvillohen ngjarjet e këtij romani”.

Besart Kadia me romanin “Loja e vjetër” u vlerësua me motivacionin: “Për lëvrimin e një lloji të veçantë romani në gjuhën shqipe, të trillerit politik. Për zhbirilimin e individualitetit të secilit personazh, duke i kushtuar vëmendje çdo detaji në funksion të plotësimit të karakterit të tij dhe të dhënies së një tabloje të qartë të realitetit shqiptar në dy përmasa kohore, të cilat përkojnë me dy realitete politike e shoqërore të ndryshme”.

Nën praninë e ministres së Kulturës, Elva Margariti. drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli, dhe jurisë, shkrimtari Virion Graçi dhe shkrimtarja Flutura Açka ndanë edhe çmimet. Ndërsa, Açka u dha dhe tre porosi autorëve  

 “Përveç dëshirës për të shkruar duhet që edhe përmes punës titanike të lexoni në çdo fushë, gjëja e dytë është koherenca me lexuesin, edhe e treta është puna”, shprehet Flutura Açka.

Juria e kryesuar nga prof. Adelina Çerpja, përbëhej dhe nga zv.dekania e Fakultetit të Filologjisë, Elsa Skënderi-Rakipllari dhe gazetarja Monika Stafa./shqiptarja