Ndahet nga jeta Paul Lowe, fotografi që dokumentoi rrethimin e Sarajevës

Fotografi britanik që dokumentoi rrethimin e Sarajevës, Paul Lowe, u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare në Los Anxhelos të SHBA-ve.

Lajmin për vdekjen e tij e ka publikuar VII Academy përmes profilit të saj në Facebook, duke shprehur trishtim për humbjen e mikut dhe kolegut të dashur.

“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin për vdekjen e mikut dhe kolegut tonë të dashur, Paul Lowe, jeta brilante e të cilit u ndërpre në Los Anxhelos. Paul ishte një shok trim dhe i dashur, dhe një baba e bashkëshort thellësisht i përkushtuar. Humbja është tronditëse dhe e madhe, dhe zemrat tona janë me bashkëshorten dhe familjen e tij” – thuhet në postim.

Organizatorët e festivalit FOTOIST në Kosovë shprehën keqardhje për vdekjen e Lowe, duke vlerësuar kontributin e tij për kulturën e kujtesës dhe rolin e tij si mik i festivalit. “Paul Lowe ishte anëtar bordi i FOTOIST dhe ekspozita e tij “Rrethimi i Sarajevës” u ekspozua më 2023 në Prishtinë. Humbje e madhe për fotografinë botërore” – deklaroi miku i tij, fotografi Burim Myftiu.

Paul Lowe ishte një nga reporterët e luftës që arriti në Sarajevë gjatë rrethimit, ku qëndroi deri në vitin 1996, duke dokumentuar jetën e përditshme të banorëve të qytetit dhe luftën e tyre për të mbijetuar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Punimet e tij përfshinin momente të rëndësishme historike, duke përfshirë rënien e Murit të Berlinit, lirimin e Nelson Mandelës, urinë në Afrikë, si dhe luftën në ish-Jugosllavi dhe shpërbërjen e Groznit. /Tema

ObserverKult

——————————

Lexo edhe:

KJO ËSHTË FOTOGRAFIA MË E NJOHUR NË BOTË/ A E DINI KU GJENDET KY PEISAZH?