Ndahet nga jeta piktori i njohur, Sali Shijaku

Sali Shijaku

Ndahet nga jeta mjeshtri i madh i pikturës shqiptare, Sali Shijaku. Ai ishte një nga mjeshtërit e rrallë të pikturës. Një artist ekspresionist që u bëri sfidë edhe metodave të ngurta të realizmit socialist gjatë periudhës së komunizmit. Ai mbeti artisti i ngjyrave origjinale dhe trumfator i lirisë krijuese në art.

Shuhet një nga yjet e artit shqiptar. Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku u shua në orët e para të mëngjesit në moshën 89-vjeçare, pasi prej disa ditësh ishte në gjendje kome. Është një nga artistet e rrallë që vdiq me penel në dorë. Para pak ditësh i biri po e nxirrte në foto duke pikturuar, por sëmuret papritur. Lajmin e ndarjes nga jeta e dha i biri Orges Shijaku, trasnmeton ‘shqiptarja.com’.

“Me Hidhërim të thellë  ju njoftojmë për Humbjen nga kjo jete të Babait tonë Piktorit të Popullit Nderit te Kombit Shqiptar Sali Shijaku. I Lehtë të qofte dheu. I kushtove gjithë jetën Artit dhe Shqipërisë”, shkruan djali i tij.

Sali Shijaku ishte një nga mjeshtërit e rrallë të pikturës. Një artist ekspresionist që u bëri sfidë edhe metodave të ngurta të realizmit socialist gjatë periudhës së komunizmit. Ai mbeti artisti i ngjyrave origjinale dhe trumfator i lirisë krijuese në art.

Vokacioni i artistit është të ndriçojë thellësitë e shpirtit njerëzor me dritë dhe sot mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku ndriçohet nga drita e parajsës. Sali Shijaku lindi më 12 mars 1933 në Tiranë.​ ​

Ka përfunduar studimet në liceun artistik Jordan Misja në vitin 1952 dhe ndoqi studimet në  Institutin e Lartë të Arteve “Rjepin”, në Leningrad, sot Shën Petërburg, deri në vitin 1961. Me prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Sovjetik (Rusisë) dhe Shqipërisë, Sali Shijaku kthehet në Tiranë dhe në vitin 1962 diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. 

Në vitin 1979 nderohet me titullin “Piktor i Popullit”. Që nga diplomimi i tij e deri në ditët e sotme është një nga artistët që ka ekspozuar vazhdimisht, në ekspozita kombëtare si brenda dhe jashtë vendit. Shijaku është nga artistët më të njohur të arteve pamore në Shqipëri. Në atelienë e tij janë përgatitur dhjetra breza artistësh të cilët koontribojnë sot në skenën e artit shqiptar. 

Shijaku është cilësuar nga studiuesit si një nga piktorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Ai krijoi vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pictures shqiptare të viteve 1965 -1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve, një figurë shembull në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962, pas kthimit nga Rusia në Institutin e Arteve, Tiranë. Artisti Sali Shijaku, thotë studiuesi i arteve Ailli Drishti, është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare.

Ekspozita e tij e parë vetjake daton në vitin 1965. Shijaku ka ekspozuar në Bienalen e Aleksandrisë (Egjipt), Rumani, Itali, Francë, Kinë, Turqi, Austri. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë, vizatime, qeramikë. Shijaku prej shumë vitesh jetonte ndërmjet Tiranës dhe Italisë.


Lexo edhe:

PËRFUNDON FAZA E PARË E RESTAURIMIT TË BANESËS SË PIKTORIT SALI SHIJAKUT

ObserverKult