Ndahet nga jeta profesori i njohur, Vehbi Hoti

Është ndarë nga jeta prof. dr. Vehbi Hoti, një nga intelektualët e spikatur të Shkodrës, kontribues i rrallë në arsimin shqiptar. Pak kohë më parë Universiteti “Luigj Gurakuqi” organizoi një konferencë shkencore në nder të 80-vjetorit të lindjes së profesorit.

Prof. Dr. Vehbi Hoti u lind në Shkodër më 6 prill 1942, ku përfundoi arsimin 7-vjeçar e atë të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës në degën Biologji-Kimi- Pedagogji.

Për periudha të shkurtra ka punuar në ish-Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe në Kabinetin Pedagogjik të Rrethit. Për rreth gjysmë shekulli, 1966-2013 ka qenë pedagog i Universitetit të Shkodrës. Gjatë këtyre viteve është shquar si pedagog, si mësimdhënës, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar si një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opioni i gjerë shoqëror.

Përveç detyrës së pedagogut, ai ka qenë i ngarkuar me detyra e funksione të ndryshme. Për më shumë se 15 vjet ka qënë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së Buletinit Shkencor”.

Që nga viti 2002 e deri më sot është kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, organ i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989-1993 ka qenë përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedogjisë. Për 13 vjet, 1991-2003 dekan i pare i Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Është dalluar për një punë serioze studimore shkencore. Ka pasur një aktivitet të pasur botues e kumtues.

Me rastin e daljes në pension 2013 Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”. Ai ka marrë vlerësime të larta shtetërore nga Presidenca e Shqipërisë si,
Urdhëri “Naim Frashëri i Artë” (2001), Titulli Mësues i Merituar” (1987), Medalja “Naim Frashëri” (1977)./ATSH


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA SHKRIMTARI I NJOHUR SHKODRAN, NIKOLLA SPATHARI