Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur, Luan Starova

U nda dje nga jeta në moshën 85-vjeçare akademiku dhe shkrimtari i shquar Luan Starova.

Lajmin e bëri të ditur Akademia e Shkencave, kryesia e së cilës u përcolli dhimbjen dhe ngushëllimet familjes, të afërmve dhe akademikëve.

Akad. Luan Starova ishte profesor i letërsisë së krahasuar në Universitetin e Shkupit dhe ligjërues në disa universitete të tjera; doktor i shkencave në Universitetin e Sorbonës; studiues, akademik dhe diplomat; anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut dhe nënkryetar i mëparshëm i saj; anëtar i Akademisë Mesdhetare të Italisë.

Ai kishte veprimtari shkencore e krijuese në tri gjuhë krijimtarie: shqip, frëngjisht e maqedonisht; një prej shkrimtarëve shqiptarë më të përkthyer në kohën e sotme; me mbi 150 tituj dhe mbi 300 botime në së paku 15 gjuhë të huaja prej vitit 1970 e këndej; fitues çmimesh e mirënjohjesh të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë çmimin më të lartë të Francës për merita letrare, që mban emrin e shkrimtares akademike Margaret Yourcenar./ATSH


Lexo edhe:

LUAN STAROVA: KISHA ËNDËRR TË KTHEHEM NË ATDHE