Gazetarja dhe shkrimtarja Zenepe Luka ka ndërruar jetë. Lajmi është konfirmuar nga anëtarët e Fondacionit ‘Nermin Vlora Falaschi’, i cili drejtohej nga gazetarja Zenepe Luka.
Nga viti 1994 dhe deri në vitin 2004, Zenepe Luka ka qenë një prej gazetarëve dhe korrespodentëve të gazetës “Koha Jonë”. Luka ishte një nga gazetaret kurajoze të terrenit që solli në media ngjarjet e rënda të vitit 1997 në Vlorë.
Zenepe Luka (Çekrezi), lindi në Librazhd, ku mori edhe arsimin tetëvjeçar. Pasi përfundoi shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në Tiranë dhe në maj të vitit 1973, u diplomua gazetare. Profesionin e gazetares e nisi në revistën “Shqiptarja e Re”, për të vijuar në gazetën lokale “Kukësi i Ri”, më pas në gazetat e përditshme “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” etj.
Është ndër të parat gazetare të RTSH në terren, që u vendos në Elbasan duke mbuluar edhe rrethet Gramsh e Librazhd. Kontribut të veçantë ka dhënë në qytetin e saj të lindjes, ku për shumë vite ka punuar si lektore, hulumtuese në Muzeun Etnografik dhe në të njëjtën kohë edhe gazetare e gazetës Bashkimi”.
Nga viti 1994 deri në vitin 2004, ka qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë” për Vlorën. Në këto vite, Zenepe Luka raportoi për ngjarjet e rënda të vitit 1997 në qytetin e Vlorë.
Zenepe Luka ka një përvojë 48-vjeçare i gazetare në terren me 12.000 shkrime të botuara, ku dominojnë zhanret e intervistës, reportazhit, kronikës, etj./kohajone