Ndahet nga jeta skulptori i njohur, Luan Mulliqi

Luan Mulliqi

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka njoftuar se ka vdekur skulptori Luan Mulliqi që shërbente edhe si anëtarë korrespodent dhe sekretar shkencor i Akademisë.

Sipas njoftimit të ASHAK-ut, mbledhja komemorative do të mbahet sot në orën 11:00, kurse nga ora 11:30 do të fillojnë homazhet.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 16:00 në Gjakovë.

Biografia e skulptorit tashmë të ndjerë Luan Mulliqi:

Luan Mulliqi lindi në Gjakovë në vitin 1953. Kreu studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë (1977), ndërsa studimet pasuniversitare në Beograd (1979). Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1977 dhe më pas i disa asociacioneve të artistëve dhe të skulptorëve në SHBA.

Mori pjesë në shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar dhe botoi një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë. Është autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë.

Krijimtaria e tij artistike përfshin skulpturën monumentale bashkëkohore dhe atë kombëtare, duke e transformuar në një stil modern. Hapi disa ekspozita personale (Beograd 1979, Çikago 1992, Dallas 1994, Nju-Jork 1995, Prishtinë 2008, Vjenë 2012, Timihoara 2014, Prishtinë 2016 etj.) dhe mori pjesë në shumë ekspozita kolektive jashtë vendit (Shqipëri, Kroaci, Holandë, Kanada, Japoni, Itali, SHBA, Gjermani, Indi, Maqedoni, Francë etj).

Ishte fitues i disa çmimeve në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare: çmimi për skulpturë në Fakultetin e Arteve në Beograd (1978), çmimet “Mosha Pijade” (1979), “40 vjet revolucion” (1981), Bienalja e Vizatimit (1983), Salloni Pranveror (1985), shtatorja e “Nënë Terezës” (2000), “Skënderbeu, strateg dhe diplomat” (2004), të gjitha në Prishtinë, pastaj për monumentin e Nënë Terezës në Tiranë (2005), shtatoren e Fehmi Aganit në Prishtinë (2006) etj.

Veprat e tij gjenden në disa galeri dhe muze të ndryshëm. Disa prej tyre janë pjesë e koleksioneve private si dhe të personaliteteve të njohura.

Për disa vjet ishte ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës. Ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, ndërsa nga viti 2012 ishte anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sekretar i Seksionit të arteve dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARTA AGANI: ASGJË NUK KA MUNDUR TË NDALË PUNËN TIME