E prekur dhe me lot e ka kujtuar këngëtarja e njohur, Alida Hisku, Mjeshtrin e Madh Agim Krajka, i cili u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.
Në një lidhje me Skype për emisionin “Ftesë në 5”, Hisku tha se Krajka i besoi asaj një këngë kur ajo ishte vetëm 14-vjeçe dhe më vonë punoi disa herë me të.
Ajo thotë se e ka takuar për herë të fundit në tetor të vitit të kaluar. E se madje bënë bashkë një plan për rikthimin në pranverë të këngëtares Hisku. Por fatkeqësisht, planet e Mjeshtrit të Madh mbeten përgjysmë.
Më besoi një këngë kur isha vetëm 14 vjeç
“Kam qenë këngëtarja e dytë pas Vaçe Zelës që u lidha në “Festivalin e Këngës” me të madhin Agim Krajka. Më besoi një këngë kur isha vetëm 14 vjeç. Ishte një baladë”.
“Më vonë punova dhe këndova sërish për të, ishin këngë dhe janë këngë që nuk do të harrohen. Ai gjeni i muzikës nxori jo vetëm Vaçe Zelën, mua, Liliana Kondakçin, motrat Libohova e shumë këngëtarë të tjerë i bëri yje të muzikës. Bashkë pinim cigaren e madje disa herë kemi vënë baste që do ta linim”.
LEXO EDHE: VIKENA RRËFEN KUJTIMET ME KOMPOZITORIN AGIM KRAJKA: KOHËT E FUNDIT…
“Në ’90 u arratisëm, ai iku në Amerikë unë në Gjermani dhe unë e mbajta fjalën e lash cigaren dhe kur u takuam i thash hiqe cigaren. Më tha ‘nuk e heq Alida, cigarja më është bërë muzikë’. Në fund të tetorit e kam takuar. Ndenjëm bashkë të dy, ashtu si dikur në piano. Ne kishim shumë miqësi familjare me Gimin dhe bëmë një projekt një plan që në pranverë të vija prapë dhe më tha: “ty të ka ngelur një shpellë e madhe, do të bëjmë diçka të bukur”. “Ti ke ende shpellën e madhe” më tha, e kishte fjalën për zërin”.
“Por të paktën e takova, u ndava me të, patëm mundësinë të jepnim edhe përqafimin e fundit. Fjalët e fundit që thamë ishte se do të shikoheshim sërish në pranverë. I dhamë fjalën njëri-tjetrit”, tha ajo./gazetashqip